Pr.ligji për “Barazinë gjinore” përplas PS-PD. Shehu: Po shkatërroni shoqërinë, kalojeni me referendum. Luarasi: Ligji s’krijon gjini të reja dhe nuk prek familjen

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme u përfshi sot nga debate të forta gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për barazinë gjinore”, një nismë e qeverisë, ku sipas saj, synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave.
Prej disa kohësh, diskutimet për terminologjinë dhe ndikimin e tij në familjen tradicionale kanë qenë në qendër të debateve publike. Relatorja e projektligjit, deputetja socialiste Iris Luarasi, tha se nisma ka ngjallur keqkuptime të qëllimshme dhe theksoi se ajo nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon vetëm mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e barazisë mes burrave dhe grave.
“Është e rëndësishme të adresoj hapur që debatet që projektligj ka shkaktuar. Disa grupe kanë shprehur shqetësime për terminologjinë e përdorur duke pretenduar se ky projektligj kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive. Në fakt ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me realitete e reja ligjore që mendohen, nuk krijon kurrsesi asnjë gjini të re dhe synon vetëm të garantojnë barazinë mes burrave dhe grave. Për të shtuar gjini të reja do të duheshin reforma të thella ligjore duke ndërhyrë në ligjin që nga gjendja civile apo duke miratuar një kuadër specifikim të ri ligjor duke njohur identitete e reja ligjore. Projektligji synon mbrojtjen nga diskriminimi, pa cenuar nocionet biologjike dhe është në përputhje me Kushtetutën. Ky projektligj siguron harmoni me pjesën tjetër ligjore për mbrojtjen nga diskriminimi dhe barazinë gjinore,” u shpreh Luarasi.
Ajo sqaroi se koncepti i përkatësisë së shumëfishtë në ligj lidhet me diskriminimin e shtuar për shkak të faktorëve si mosha, aftësia e kufizuar apo statusi ekonomik, dhe jo me ekzistencën e “gjinive të shumëfishta” siç është interpretuar gabimisht nga disa grupe.
“Koncepti i përkatësisë së shumëfishtë, nënkupton diskriminimin e shtuar për shkak të moshës, vendbanimit, aftësive të kufizuara apo statusit social ekonomik. Ky koncept nuk lidhet me një gjini të shumëfishtë siç është pretenduar gabimisht. Ligji nuk ndërhynë në organizmin e sportit, doktrinën fetare apo në simbolet kombëtare të Shqipërisë, ai mbështetet mbi parimet e respektimit të dinjitetit njerëzor dhe mos diskriminimit. Togfjalëshi gjini e shumëfishtë nuk ekziston në projektligj. Ka dy përkufizime të reja në këtë përmbajtje, diskriminimi ndërsektorial dhe stereotipat gjinore janë ide të paracaktuar të cilat gratë dhe burrat u caktohen në mënyrë arbitrare vetëm nga gjinia e tyre që kufizojnë mundësitë e zhvillimit të tyre në jetën publike dhe private. Ky projektligj nuk është eksperiment social, por është një përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare që ka Shqipëria. Ai nuk kërcënon familjen por e përforcon atë duke krijuar mundësi të barabartë për të gjithë anëtarët e saj. Nuk krijon privilegje por korrigjon padrejtësi historike, nuk imponon ideologji të huaja, por zbaton vlerat universale të të drejtave të njeriut’, tha ajo.
Debati u përplas ashpër kur deputeti demokrat Tritan Shehu kundërshtoi fort projektligjin, duke e quajtur atë “një eksperiment të rrezikshëm” që, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe me konceptet biologjike të gjinisë.
“Ju do e quani ligjin Soros? Besoj se po dhe është një eksperiment tjetër në Ballkan pas eksperimentit të dështuar të reformës në drejtësi, një eksperiment i dhimbshëm për Shqipërinë. Ky është një ligj që bie ndesh me Kushtetutën e vendit, është fluid gjinia sipas jush këtu. Do të shkatërroni familjen tonë, jetën tonë, fëmijët tanë, është një thikë e rëndë ndaj ekzistencë tonë kombëtare, shoqëritë dhe njerëzore. Që këtu ju kaloni te familja homoseksuale, po shkatërroni familjen, thelbin e kombit tonë. E hedhim në referendum këtë ligj, duhet të votojë dhe populli se kjo lidhet me jetë, nuk mund të kalojë kështu kjo. Nuk mund të jetë gjinia një perceptim subjektiv shoqëror i ndryshueshëm. Gjinia bazohet në koncepte biologjike. Biologjia është e përcaktuar, X apo Y”, deklaroi Shehu.
Shehu kërkoi që ky ligj krijon amulli në shoqëri dhe është “atentat ndaj jetës, shoqërisë dhe vlerave të familjes”, duke kërkuar që ky të kalojë me referendum me votën e qytetarëve.
“Ju po i bëni dëm të madh shoqërisë, ky nuk ka lidhje me ligjin për diskriminimin. Tërhiquni sa nuk është vonë, po fusni vendin në qorrsokak, po krijoni një problem të madh social në shoqëri, krijon amulli në popull. Ky është atentat ndaj jetës, shoqërisë dhe vlerave të familjes. Shumica e vendeve evropiane nuk e kanë këtë ligj. Nëse doni ta miratoni, kalojeni me referendum, nuk ka rrugë tjetër, duhet të kalojë në referendum popullor”, tha Shehu.
Në mbrojtje të projektligjit, deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se qëllimi i tij është të forcojë demokracinë përmes barazisë gjinore dhe të luftojë dezinformimin që, sipas tij, po përhapet qëllimisht në publik lidhur me këtë projektligj.
“Beteja më e madhe sot e demokracisë është përballja me dezinformimi, është armiku më i madh i fjalës dhe vlerave demokratike. Ligji është një arritje e madhe e shoqërisë tonë, pra me miratimin e tij ne hedhim një hap tjetër të konsolidimit të gjithçka është deri më sot që burrat dhe gratë të ndihen të barabartë”, tha Balla.
Ndërkohë, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, theksoi se projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe përmirëson kuadrin ligjor të vitit 2008 për barazinë gjinore.
“Është një projektligj që garanton të drejtat të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat dhe është një nga parimet themelore të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë dhe në nga pikat themelore të BE. Barazia gjinore është një shtyllë themelore e të drejtave të njeriut në një shoqëri të barabartë gjinore, kjo nuk është vetëm çështje e grave, por e një drejtësie që garanton dinjitetin dhe barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk ka integrim real pa barazi reale dhe po punojmë çdo ditë për të garantuar mbrojtje nga çdo lloj dhune dhe diskriminimi dhe politika që garantojnë barazi. Pas një periudhe 18 vjeçare kur u miratua ligji i parë për barazinë gjinore duhet bërë në bilanc të zbatimit të tij dhe mungesa e efikasitetit të ligjit aktual mbi barazinë gjinore është evidentuar raport e BE. Nga rekomandimet e ardhura, Shqipëria ftohet që ky ligj duhet miratuar brenda 2025 dhe synon të krijojë një projektligj që është në përputhje me piketat e hapjes së kapitujve themelore me BE. Parashikojmë përputhshmëri të plotë me ato nene që lidhet specifikisht me zbatimin e këtij ligji. Themelet e hedhura në 2008 janë ato mbi të cilat qëndron ky ligj i ri por duke ndërhyrë në disa nene duke e harmonizuar me zhvillimet e standardeve ndërkombëtare për barazinë gjinore. Plotësimi i ligjit, forcimi i tij, ristrukturimi i tij dhe harmonizimi i ligjit. Kjo nuk është polikë e re në vetvete pro vijimësia e ligjit të 2008 për barazinë gjinore. Ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky projektligj forcon mekanizmat për trajtimit të barabartë të burrave dhe grave, forcon llogaridhënien dhe monitorimin dhe punën e pa paguar të kujdesit të grave dhe forcon përfaqësimin e barabartë në vendimmarrje, bashkëpunimin ndërsektorial etj.”, tha Seferi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



