Prefekti bëhet “gardian” i territorit, krijohet për herë të parë “Prefekti Detar”

Roli i përfaqësuesit të qeverisë në qarqe pritet të pësojë ndryshime rrënjësore. Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar projektligjin e ri “Për prefektin e qarkut”, i cili synon t’i japë kompetenca më të forta këtij institucioni, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e territorit dhe sigurinë.
Risitë u diskutuan në një tryezë konsultative të drejtuar nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ku ishin të pranishëm Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe prefektët e 12 qarqeve të vendit.
“Prefekti Detar”
Një nga propozimet që bie në sy tek drafti është krijimi i funksionit të “Prefektit Detar”. Ky pozicion i ri do të ketë përgjegjësi specifike për mbrojtjen, monitorimin dhe menaxhimin e vijës bregdetare, duke adresuar një nga sfidat më të mëdha të menaxhimit territorial në vend.
Kompetenca të shtuara
Sipas draftit të diskutuar, prefekti nuk do të ketë vetëm rol administrativ apo verifikues, por do të fuqizohet “në lidhje me mbrojtjen e territorit, me kompetenca më të qarta për të ndërhyrë ndaj paligjshmërisë në zhvillimin urban dhe mjedisor”.
Sa i përket emergjencave civile do të ketë rol koordinues dhe vendimmarrës më të fortë në rastet e fatkeqësive natyrore. Lidhur me sigurinë publike, do të ketë koordinim më të ngushtë me strukturat e rendit.
Përtej diskutimeve për ligjin, Ministrja Koçiu shfrytëzoi takimin për të dhënë direktiva për periudhën e festave të fundvitit. Ajo u kërkoi prefektëve të rrisin vigjilencën dhe të koordinojnë të gjitha strukturat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë ditëve festive, si dhe të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë emergjence civile.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




