Presidenti Begaj pret Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë: KFOR-i thelbësor për paqen rajonale

Aktualitet | 1 vit më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Takimi u fokusua në rëndësinë e misionit KFOR për stabilitetin në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit me Kosovën.

Kreu i Shtetit shqiptar i shprehu mirënjohje Gjeneral Ulutaş për marrjen e drejtimit të KFOR-it nga Turqia – për herë të dytë – dhe vlerësoi lart kontributin dhe angazhimin e trupave turke brenda misionit.

Gjatë bisedimeve, Presidenti Begaj theksoi rolin qendror të KFOR-it.

“KFOR-i është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin,” u shpreh Presidenti. Në këtë kontekst, ai riafirmoi bindjen e tij se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit mbetet “faktor thelbësor” për sigurinë e përbashkët.

Një temë e veçantë në bisedë ishte mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë për forcimin e kapaciteteve të Kosovës.

Presidenti Begaj inkurajoi intensifikimin e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe institucioneve kosovare, veçanërisht në drejtim të zhvillimit, modernizimit dhe transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me standardet e NATO-s.

Gjithashtu, u vlerësua angazhimi i KFOR-it për garantimin e një situate të qetë sigurie dhe lirisë së lëvizjes, sidomos në zonat e Veriut të Kosovës.

Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj konfirmoi angazhimin e palëkundur dhe mbështetjen e Shqipërisë për misionin KFOR, duke e parë atë si një garanci thelbësore të sigurisë euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme