Kryeministri britanik mbërrin në Tiranë, pritet në takim nga Begaj dhe Rama

Ka mbërritur në Shqipëri, në vizitën e tij të parë zyrtare, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Takimin e parë në Tiranë, Starmer e ka nisur me Kreun e Shtetit, Bajram Begaj. Ky i fundit ka pritur Starmer dhe delegacionin që shoqëronte kryeministrin britanik, e ku pas fotos e shtrëngimit të duarve kanë vijuar me takimin në ambientet e Presidencës.
Kreu i Shtetit e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Starmer si shumë domethënëse në ndërtimin e një partneriteti strategjik midis dy vendeve.
Presidenti falënderoi kryeministrin britanik për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe rolin e saj në nxitjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të mirëfokusuar në anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian dhe për rritjen ekonomike.
Begaj shprehu bindjen se Samiti i Komunitetit Politik Europian, pjesë e të cilit do të jetë edhe Starmer, do të shërbejë si platformë për të promovuar integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duke veçuar shkollimin në akademitë më të mira ushtarake të Britanisë së Madhe, stërvitjet e përbashkëta dhe kontributin me trupa në misionin KFOR.
Presidenti theksoi se paqja, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BE-në. ”Plani i rritjes, në këtë kontekst, dhe investimet në Korridorin XIII, si korridor strategjik, përforcojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Pas takimit me Begajn, Starmer u prit më një ceremoni zyrtare edhe nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin pritet të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit “kokë më kokë”.
Ndërkaq, Presidenti Begaj do të takojë gjatë kësaj të enjteje edhe dy delegacione të tjera. Kësisoj, në orën 12:00, në Presidencë ai do ketë një takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu, dhe me delegacionin që e shoqëron.
Pak orë më vonë, në 15:30, kreu i shtetit do të presë në një takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Ditën e sotme, liderët europianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të vijnë në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian të 16 majit, i cili do të mbahet në Shtëpinë e Europës të zhvendosur në Sheshin “Skënderbej”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



