Presidenti Begaj vlerëson Marrëveshjen e Paqes për Gazën: Moment historik për paqen dhe njerëzimin

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur firmosjen e Marrëveshjes së Paqes për Gazën, e cila u nënshkrua sot në Egjipt në prani të Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderëve të tjerë shtetesh. Marrëveshja i jep fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetin social X, Presidenti Begaj e cilësoi këtë zhvillim si një moment thelbësor në diplomacinë ndërkombëtare.
“Firmosja e Marrëveshjes së Paqes për Gazën, sot në Egjipt, e iniciuar, mbështetur dhe bërë realitet nga Presidenti Trump, është një moment historik për paqen dhe njerëzimin,” shkroi Begaj. “Kjo marrëveshje shënon një pikë kthese, duke dëshmuar se diplomacia, dialogu dhe vizioni mund ta bëjnë të pamundurën realitet.”
Në mesazhin e tij, Presidenti shqiptar rikonfirmoi qëndrimin e vendit përkrah paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
“Shqipëria qëndron krah të gjitha kombeve që kontribuojnë për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, në këtë moment kaq të rëndësishëm,” përfundoi Begaj.
Marrëveshja u finalizua gjatë ndalesës së dytë të Presidentit Trump në Lindjen e Mesme, pas vizitës së tij të parë në Izrael.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




