Presidenti i Afrikës së Jugut sfidon Trumpin për pretendimet për “gjenocid të bardhë” në Afrikën e Jugut

Botë | 1 vit më parë

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, kundërshtoi pretendimin e Presidentit Donald Trump se afrikanojugorët e bardhë po vuajnë nga “gjenocidi” në vend gjatë takimit të dy udhëheqësve në Zyrën Ovale.“Nëse do të kishte pasur gjenocid ndaj fermerëve afrikanë, mund të vë bast se këta tre zotërinj nuk do të ishin këtu, përfshirë ministrin tim të bujqësisë. Ai nuk do të ishte me mua”, tha Ramaphosa, duke iu referuar anëtarëve të bardhë të delegacionit të tij, ku përfshiheshin lojtarët e golfit nga Afrika e Jugut Retief Goosen dhe Ernie Els dhe ministrin e Bujqësisë të vendit të tij, John Henry Steenhuisen.

Ramaphosa i kërkoi Trumpit të “dëgjonte historitë e tyre, perspektivën e tyre”.

Menjëherë pas kësaj, Ramaphosa u ul në heshtje të pakëndshme ndërsa Trump u kërkoi ndihmësve të tij të transmetonin një dokumentar të shkurtër që përmbante një përzierje videosh, përfshirë politikanin e Afrikës së Jugut, Julius Malema.

Trump dhe disa anëtarë të administratës së tij, përfshirë këshilltarin e lindur në Afrikën e Jugut, Elon Musk, kanë pohuar se qeveria e Afrikës së Jugut po persekuton pakicën e bardhë. Afrika e Jugut i ka mohuar me forcë këto pretendime.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, mbrojti edhe politikën e vendit të tij për shpronësimin e tokës pas kritikave nga Presidenti Donald Trump.

“Kushtetuta jonë garanton dhe mbron shenjtërinë e zotërimit të tokës dhe kjo kushtetutë mbron të gjithë afrikanojugorët në lidhje me pronësinë e tokës”, tha Ramaphosa, duke filluar të shpjegojë se qeveria e tij synon të rishpërndajë tokën për shkak të pabarazive në vend nga regjimi i aparteidit që sundoi Afrikën e Jugut për dekada të tëra deri në vitin 1994.

“Qeveria juaj ka gjithashtu të drejtë të shpronësojë tokën për përdorim public”, vazhdoi Ramaphosa, përpara se presidenti amerikan ta ndërpriste.

“Po ua merrni tokën njerëzve”, tha Trump.

“Nuk e kemi bërë”, u përgjigj Ramaphosa, përpara se presidenti amerikan të vazhdonte.

“Ata po ekzekutohen, dhe rastësisht janë të bardhë, dhe shumica e tyre rastësisht janë fermerë, dhe kjo është një situatë e vështirë. Nuk e di si e shpjegoni këtë”, tha Trump.

Çfarë u diskutua: Ligji i shpronësimit u miratua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij viti në një përpjekje për të përmbysur pabarazitë historike racore. Ligji i jep qeverisë së Afrikës së Jugut fuqinë për të marrë tokën dhe për ta rishpërndarë atë, pa asnjë detyrim për të paguar kompensim në disa raste, nëse konfiskimi rezulton të jetë “i drejtë dhe i barabartë dhe në interes të publikut”.

Disa informacione mbi sfondin: Gjatë epokës diskriminuese të aparteidit, afrikanojugorëve me ngjyrë u morën me forcë tokat e tyre në dobi të të bardhëve. Sot, rreth tre dekada pas përfundimit të aparteidit, zezakët, të cilët përbëjnë mbi 80% të popullsisë së vendit prej 63 milionë banorësh, zotërojnë rreth 4% të tokës private.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme