Presioni emocional nga rrjetet sociale, më shumë adoleshentë kërkojnë asistencë psikologjike

Sociale | 7 muaj më parë

Gjatë vitit 2025 shumë prej telefonatave që u regjistruan nga ALO 116-111 dhe rasteve të raportuara përmes chat-it, dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës për mbështetje emocionale.

Një nga gjetjet më alarmante të raportit lidhet me rritjen drastike të mendimeve dhe veprimeve vetëdëmtuese, me 91 raste në një vit, nga 2 që kishte në vitin 2021.

Psikologia Borjana Dine u shpreh për RTSH se, “Ka një disbalancë midis gjinisë përsa i përket raportimeve tek platforma e sigurt. Mbi 70% e vajzave janë të prekura në mjedisin online. Gjatë 2025 u vu re një tendencë e re që lidhet me shkollat, ku grupe të caktuara nxënësish hapnin faqe në Instagram në emër të shkollës. Dhe nëpërmjet mesazheve anonime denigronin lehtësisht me emër, mbiemër dhe materiale të caktuara, me informacione false, mësues dhe nxënës të tjerë.”

Shifrat në rritje të kërkesës për asistencë, për sociologun Gëzim Tushi lidhen me dy arsye kryesore.

“Prindërit vazhdojnë të tentojnë të prindërojnë me modelet e vjetra të komunikimit, gjë që është e dështuar. Me adoleshentin nuk mund të komunikohet as me dhunë, as me forcë. E njëjta gjë ndodh edhe nëpër shkolla, ku adoleshentët kanë fajin e tyre të mëkatit, por edhe figurat edukative nëpër shkolla duhet të gjejnë mënyra për të komunikuar me adoleshentët. Problemi është si mund t’i edukojmë që konfliktet t’i zgjidhin jo me armë, jo me thika, jo me bullizëm, as me ngacmim, por nëpërmjet arsyes dhe dialogut. Pa instrumenta edukativë ne do të dështojmë në punën me adoleshentët dhe ky është problem shumë i madh.”

Një tendencë që u përhap në vitin 2025 ishte ajo e hapjes së faqeve të rreme me disa nga emrat e shkollave në vend. Profili i rasteve tregon një ndërlidhje të fortë mes rreziqeve online dhe mirëqenies psikoemocionale tek fëmijët, çka kërkon të qenurit më shumë vigjilent.

Gazetare: E. Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme