Prishja e rrugës Librazhd-Përrenjas, Vengu: Investime në pritat lumore përgjatë Shkumbinit për të parandaluar dëmtime në të ardhmen

Aktualitet | 8 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka zhvilluar një konferencë për shtyp, ku ka bërë një pasqyrë të punës për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Armatosur, emergjencave civile dhe industrisë ushtarake 2026.

Ndalur te situata e fundit në vend, ku prishja e rrugës Librazhd-Përrenjas solli problematika të mëdha në lëvizjen në juglindje të vendit, Vengu tha se do të investohet në pritat lumore përgjatë lumit Shkumbin, për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.

“Fondi i Kushtëzuar shpërndahet me një qasje të re, për të forcuar ato bashki që konsiderohen më ë dobëta. Kemi rritje të fondit të investimeve për infrastrukturën parandaluese, 18 mln euro, 8 mln euro janë të dedikuara që janë në zbatim e sipër. Do vazhdojmë të mbështesim pritat lumore përgjatë Shkumbinit që të parandalojmë rrëshqitje apo dëmtime nga gërryerjet lumore në të ardhmen”, tha Vengu.

Ministri përmendi gjithashtu edhe angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me trupa në Gaza, teksa theksoi se forcat tona do të operojnë brenda një ombrelle të një aleati më të madh.

“Nuk janë harta zyrtare ato që kanë qarkulluar. Do të jenë bisedimet e shtabit që do të përcaktojnë ecurinë në vijimësi. Angazhimi do të jetë me dy faza, përfshirja me oficerë nëpër shtabet, që organizojnë forcat dhe forcat tona operojnë brenda një ombrelle të një aleati më të madh dhe kjo është ajo që do të ndodhë edhe në këtë rast”, u shpreh ai.

Ministri njoftoi gjithashtu përgatitjen e një pakete kompensimi për dëmet në bujqësi dhe blegtori të shkaktuara nga përmbytjet e muajve të fundit.

“Siç është bërë praktikë e rregullt dhe në zbatim të parashikimeve ligjore Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile  ka mbështetur Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe bashkitë nga dëmet sidomos në blegtori dhe bujqësi. Jemi tashmë gati që me Ministrinë e Financave të bëjmë gati një paketë kompensimi nga dëmet sidomos në bujqësi dhe blegtori”, deklaroi Vengu.

Sa i përket forcimit të kapaciteteve për emergjencat civile, ai zbuloi se po negociohet blerja e dy avionëve zjarrfikës, ndërkohë që është në zbatim një kontratë me kompanitë KAYO dhe Timac Defence për prodhimin e mjeteve të specializuara për terrene malore e pyjore, të cilat do t’u transferohen bashkive më të ekspozuara.

“Kemi një kontratë në zbatim e sipër përmes KAYO dhe Timac Defence, për prodhimin e mjeteve të  emergjencave civile dhe të specializuara për terrenet malore dhe pyjore. Këto mjete do t’i transferohen bashkive që kanë më shumë nevojë. Është në negociatë e sipër blerja e dy avionëve zjarrfikës. Një element është që mundësojmë që ky element të vijë sa më parë, nuk e dimë nëse do të vijë për sezon. Synimi që në vitin 2027 t’i kemi të dy, por dhe pak më përpara. Të kemi minimalisht në çdo element katër helikopterë, për çdo emergjencë”, tha Vengu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme