Procedohen penalisht 23 persona pas tubimit, Policia referon materialet edhe për një rast kanosjeje

Aktualitet | 5 muaj më parë

Policia e Tiranës ka nisur procedimet penale ndaj 23 shtetasve pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës. Krahas masave për ruajtjen e rendit, strukturat hetimore kanë kryer verifikime mbi bllokimin e akseve rrugore, si dhe kanë trajtuar një kallëzim për kanosje mes pjesëmarrësve.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndaj 23 personave është bërë procedimi pasi “kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht”.

Për këtë rast, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë proceduar shtetasit: A. K., A. Ll., L. K., E. K., V. D., E. Z., Xh. P., A. N., I. Rr., J. Sh., A. H., Xh. B., Sh. B., E. Q., T. H., S. M., E. K., D. K., A. Ll., L. D., B. K., R. S. dhe E. L.

Autoritetet konfirmuan se “vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për tri vepra penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Hetimet për kanosje gjatë protestës

Paralelisht, Komisariati i Policisë Nr. 2 ka regjistruar një kallëzim penal nga shtetasi R. M., i cili ka pretenduar se është kërcënuar gjatë protestës së datës 16.06.2026 nga shtetasi G. P., pas një konflikti për një video të publikuar në rrjete sociale. Në materialin filmik pretendohej se G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium.

Sipas policisë, “kallëzuesi ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga shtetasi G. P.”, pasi ky i fundit i është drejtuar me fjalë të cilat janë konsideruar kërcënuese.

Në kuadër të veprimeve verifikuese, policia ka shoqëruar për deklarim personin e akuzuar.

“Policia ka thirrur dhe i ka marrë deklarim shtetasit G. P., i cili ka pranuar se ka kërkuar sqarime nga kallëzuesi për videon e publikuar në një rrjet social”, sqarohet në njoftim. Edhe për këtë episod, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme