Prodhimi dhe tregtimi i armëve dhe dronëve, qeveria miraton kushtet për negociatat e shoqërisë shtetërore “KAYO” me partnerë privatë

Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe dronëve. Ky vendim hap rrugën për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare, duke bashkuar burimet publike dhe private në këtë sektor strategjik.
Kushtet kryesore të negocimit
Shoqëria “KAYO” do të mbajë një pjesëmarrje në aksione jo më të ulët se 20% në shoqërinë e re, ndwrsa partneri privat duhet të ofrojë një vlerë investimi jo më të ulët se 50 milionë euro.
Sipas vendimit, shoqëria shtetërore do të kontribuojë me një pasuri të paluajtshme prej të paktën 5000 m², e cila do të jepet në përdorim pa të drejtë tjetërsimi, duke mbetur pronë e saj.
Partneri privat duhet të sigurojë linjat teknologjike për prodhimin ose montimin e armëve dhe dronëve, të cilat do të plotësojnë nevojat operacionale të Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë në Shqipëri.
Partneri privat, sipas vendimit, duhet të sigurojë gjithashtu një rrjet shpërndarjeje për eksportin e produkteve. Shoqëria “KAYO” do të ketë të drejtë të emërojë administratorin/ët me dakordësinë e saj, të emërojë minimalisht 40% të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të gëzojë të drejtën e vetos për vendimet e rëndësishme.
Për sigurinë fizike të personelit dhe infrastrukturës do të kujdesen Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky vendim vjen si rezultat i ligjit të posaçëm për krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO”, duke synuar modernizimin dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




