Programet ekonomike të PD dhe PS, flasin ekspertët Fatos Çoçoli dhe Klodian Muço

Ekonomi | 2 vite më parë

Programi ekonomik i dy partive më të mëdha në vend është bërë objekt debati në qarqet e ekspertëve, por edhe në publikun e gjerë.

Sipas studiuesve të ekonomisë duket se ato kanë ngjashmëri në disa pika, si paketa sociale, lehtësirat për emigrantët që do të investojnë në atdhe apo krijimi i bankës së zhvillimit.

“Pensioni minimal 200 euro, që e ka prezantuar Partia Demokratike, po ashtu edhe partia në pushtet… Të dyja flasin për një pagë mesatare që shkon mbi 1.200 euro,” thotë eksperti Klodian Muço.

“Pikat ku takohen më shumë janë ato që kanë të bëjnë me ndihmën ndaj shtresave më të varfra, më pak të mbrojtura të shoqërisë sonë,” shprehet kolegu i tij, eksperti Fatos Çoçoli.

Por ajo që i ndan palët është sistemi fiskal, ku PD-ja propozon taksën e sheshtë, ndërsa PS-ja atë progresive, si dhe mundësia e realizimit të këtyre premtimeve.

“Programi i Partisë Demokratike ka mbi një vit që hartohet dhe është relativisht i realizueshëm. Pse nuk them i realizueshëm ai i Partisë Socialiste… sepse thotë pensioni mesatar në Shqipëri, 400 euro. Që të kalojmë nga 186 euro te 400 euro, duke marrë në konsideratë që janë rreth 722 mijë pensionistë, i bie që shifra është vërtet shumë e lartë,” tregon z. Muço.

“Për mua, programi i Partisë Demokratike është më tepër një listë dëshirash, vështirësisht të realizueshme. Jo me këmbë në tokë është zgjedhja e taksës së sheshtë. Ka pak mundësi që taksa e sheshtë të arrijë të grumbullojë aq fonde sa duhen për të mbajtur premtimet,” shton z. Çoçoli.

Sipas ekonomistëve, cilado forcë politike që do të krijojë qeverinë pas 11 majit do të duhet të përballet me informalitetin, i cili dëmton sistemin fiskal dhe për pasojë edhe realizimin e programit ekonomik.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme