Programi “EU4Schools”, inaugurohet shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në Tiranë

Ditën e sotme është inauguruar shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, Tiranë, një objekt arsimor i cili është rindërtuar nga e para falë Programit “EU4Schools” / “BE për Shkollat”. 300 nxënës, 16 mësues/e dhe 45 mijë banorë të komunitetit janë përfituesit e këtij investimi madhor për të ardhmen.
“Xhezmi Delli” është një prej 7 institucioneve arsimore përfituese në fokus të “EU4Schools” për Bashkinë e Tiranës.
Të pranishëm në aktivitetin e sotëm ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato; Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD-it në Shqipëri, Francisco Roquette; Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani; përfaqësues të autoriteteve vendore, nxënës, mësues etj.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit ndërvepruan me nxënësit e mësuesit, ndërsa panë afër mjediset e transformuara të shkollës, të cilat sigurojnë tashmë kushte dinjitoze e bashkëkohore për t’iu përshtatur nevojave të arsimimit për shekullin e 21-të.
Kjo shkollë është një prej 53 objekteve arsimore të rindërtuara/riparuara deri tani në kontekstin e “EU4Schools”, ndërsa 9 objekte të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi/riparimi.
Në publikimin e tij në rrjete sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – PNUD nënvizon se “ky vit shënon 20-vjetorin e partneritetit për progres mes PNUD-it dhe BE-së, për të cilin jemi krenarë dhe mirënjohës për ndryshimet e prekshme që ka sjellë tek njerëzit duke mos lënë asnjë pas”.
Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 75 milionë Euro dhe zbatohet nga PNUD në Shqipëri në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Projekti synon rindërtimin ose riparimin e 60+ objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




