Programi i qeverisë, në fokus rritja pensioneve dhe ndërtimi i banesave sociale

Një paketë e gjerë masash me karakter social janë në programin e ri të qeverisë 20025-2029, i cili u miratua këtë të enjte në Kuvend, duke vënë në qendër të vëmendjes pensionistët, familjet në nevojë dhe çështjen e strehimit. Programi i qeverisë ka vendosur objektiva afatgjata, me synim përafrimin e standardeve shqiptare me ato evropiane.
Qeveria parashikon një ndryshim të rëndësishëm në skemën e pensioneve. Sipas programit, deri në fund të vitit 2029, pensioni mesatar për kontribuesit e plotë synohet të arrijë në rreth 400 euro, ndërsa pensioni minimal do të jetë 200 euro. Kjo rritje e konsiderueshme shihet si pjesë e një pakete më të gjerë për forcimin e mbrojtjes sociale.
Për të arritur këto shifra, theksi vihet te disa pika kyçe:
- Lufta kundër informalitetit dhe nxitja e deklarimit të pagave reale për të rritur bazën e kontributeve.
- Digjitalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shoqërore, me qëllim rritjen e transparencës dhe shpejtësisë së shërbimeve.
- Përafrimi me standardet evropiane, me synim që pensionet të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë viteve të punës deri në vitin 2030.
- Programi përmend gjithashtu negociatat për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me vende të tjera, një hap i rëndësishëm për qytetarët që kanë punuar jashtë shtetit.
Strehimi social dhe mbështetja për familjet
Një tjetër pikë thelbësore e programit është strehimi. Qeveria synon të ndërtojë 1,500 njësi të reja banimi me kosto të ulët deri në vitin 2029. Këto banesa do të shërbejnë për strehim social, duke synuar lehtësimin e barrës për familjet me të ardhura të ulëta dhe të reja. Një masë e re është edhe përdorimi i të ardhurave nga pasuritë e konfiskuara për të financuar këto programe.
Përveç strehimit, paketa sociale përfshin edhe:
- Mbështetje të shtuar për personat me aftësi të kufizuara, me planin për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe krijimin e qendrave të reja për spektrin e autizmit.
- Zgjerim të shërbimeve sociale, duke krijuar 40 shërbime të reja dhe duke fuqizuar qendrat komunitare në partneritet me bashkitë.
- Një paketë të re mbështetjeje për familjet e reja, me subvencione për strehimin dhe akses më të lehtë në kredi të buta.
- Rritjen e shërbimeve për moshën e tretë, duke përfshirë asistencë shtëpiake dhe këshillim psiko-social.
Programi nënvizon se këto politika janë një vazhdimësi e masave të ndërmarra në dekadën e fundit, si bonusi i bebes dhe tekstet shkollore falas, të cilat kanë prekur dhjetëra mijëra familje shqiptare. Me këtë program, qeveria synon të forcojë themelet e një shteti social, duke mbrojtur grupet më vulnerabël dhe duke garantuar dinjitet e barazi shoqërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




