Programi i vetëpunësimit 2026, mbi 200 aplikime nga punëkërkuesit në qarkun e Shkodrës

Aktualitet | 4 muaj më parë

Mbi 200 punëkërkues të papunë në qarkun e Shkodrës kanë aplikuar për Programin e Vetëpunësimit 2026, duke shënuar një rritje të ndjeshme të interesit krahasuar me një vit më parë. Sipas Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, kjo rritje lidhet me ndryshimet e bëra në program, ku më i rëndësishmi është dyfishimi i vlerës së financimit, deri në 1 milion lekë, për projektet fituese.

“Numrin më të madh të aplikimeve i ka Bashkia Shkodër me 170 aplikime. Kemi po ashtu 20 aplikime në Malësinë e Madhe dhe 15 aplikime në Pukë. ë ndër profilet më të kërkuara kryesojnë kujdesi personal gastronomia, tregtia, artizanati, hoteleria”, tha Julian Jana, Drejtori i AKPA Shkodër.

Me përfundimin e fazës së aplikimeve, në Qendrën e Formimit Profesional në Shkodër ka nisur trajnimi i aplikantëve për hartimin e planeve të biznesit. Mbi bazën e të cilave  do të bëhet përzgjedhja e përfituesve të financimit.

“Unë do të investoj për disa pajisje që të realizoj punën time nga shtëpia në mënyrë sa më cilësore. Kjo është java e parë e trajnimeve. Sipas materialeve kam parë që janë shumë korrekt në prezantime dhe nga idetë që kam parë më duket sikur edhe konkurrenca është shumë serioze këtë vit”, deklaroi Rozafa Zmijani, Drejtuesja e Qendrës së Formimit Profesional.

Për vetë punëkërkuesit, programi përfaqëson një mundësi konkrete për të realizuar idetë e tyre dhe për të krijuar një aktivitet të qëndrueshëm biznesi.

Gjatë pesë viteve, të zbatimit të Programit të Vetëpunësimit në qarkun e Shkodrës, 159 punëkërkues kanë përfituar mbështetje financiare për ngritjen e bizneseve të tyre. Sipas të dhënave të AKPA-së, një pjesë e konsiderueshme e këtyre sipërmarrjeve vijojnë të jenë aktive.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme