Projektbuxheti 2026, Kumbaro: Konsolidon rritjen e pagave dhe rrit cilësinë e arsimit

Aktualitet | 12 muaj më parë

 Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, projektbuxhetin e arsimit për vitin 2026, i planifikuar në shumën 64 miliardë e 865 milionë  lekëve me një shtesë prej 2 miliardë e 846 milionë lekë nga buxheti fillestar i vitit 2025.

Gjatë prezantimit, Kumbaro theksoi se projektbuxheti për vitin 2026 konsolidon rritjen e pagave, uljen e pabarazive, përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë arsimore.

“Projektbuxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Arsimit është planifikuar në shumën 64 miliard e 865 milion lekë ose 648,6 milion Euro, me një shtesë prej 2 miliard e 845 milion lekë (28,4 milion Euro) ndaj buxhetit fillestar të vitit 2025 ose një rritje prej 4,6% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025.

Ky është buxheti më i lartë historik nominal për arsimin. Por është e rëndësishme të themi se Sektori i Arsimit mbështetet edhe nga aktorë të tjerë, duke e rritur ndjeshëm financimin real.

Në total, këto fonde të injektuara së bashku me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2026 arrijnë vlerën rreth 90 miliard lekë ose mbi 900 milion Euro, duke e rritur peshën e sektorit në: 10.1%  të shpenzimeve publike.

Buxheti për Arsimin mbështetet gjithashtu edhe me investimet kapitale në fondin 54,5 milion Euro, ku do të vijojë mbështetja për investimet në infrastrukturën e arsimit bazë, arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë publik, si dhe mbështetja për infrastrukturën e kërkimit shkencor”, theksoi ministrja Kumbaro.

Kumbaro shpjegoi më tej se buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2026 ndahet në 5 programe buxhetore.

“Në Arsimin Parauniversitar do të financohen 425 milionë euro paga, 37.3 milionë euro shpenzime korrente siç janë ato për transport, për bursa dhe kuotë ushqimore, tekstet falas, hartimin e programeve dhe rishikimin e kurrikulave, trajnimin e mësuesve, programet pas shkollore, mbështetjen për tekstet e diasporës dhe qendrat burimore e shkollat me status të veçantë etj. Nga viti 2026 nis një rritje e re pagash për mësuesit prej 36.000 lekësh në vit”, tha Kumbaro.

Gjithashtu, ministrja Kumbaro u shpreh se do të vijojnë investimet për 42 kantiere shkollash të hapura, për mobilimin e tyre, blerjen e mjeteve laboratorike dhe pajisjen e klasave me SmartLabe, ndërsa hapjes së Liceut Francez të Korçës, i është dedikuar një fond prej 1 milionë euro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme