Projekti në Zvërnec, Rama: Nuk rri në karrige me forcë nëse qytetarët s’e duan vizionin tim. Më thoni ju si do veprojmë

Politikë | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk do të qëndrojë në detyrë nëse qytetarët nuk mbështesin vizionin e tij për zhvillimin e vendit, pas akuzave të hedhura ndaj tij lidhur me projektin zhvillimor të zonës së Zvërnecit, ku u zhvilluan protesta kundër ndërtimit të një resorti.

Rama u shpreh se është i gatshëm të pranojë çdo mendim dhe kundërshti nga kundërshtarët e tij politik, por shtoi se marrëveshja e tij në krye të qeverisë është me qytetarët dhe se janë ata që duhet të vendosin nëse do mbështesin vizionin e tij për zhvillimin e vendit.

“Si do ta bëjmë këtë zgjedhje? Është e drejta juaj, më thoni dhe unë adaptohem, sepse jam këtu me votën tuaj. I duroj të gjitha ato që më thonë kundërshtarët, i duroj, por jo se i pranoj. I duroj sepse mendoj se jam këtu për ju dhe me ju. Edhe nëse ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni me atë që dëshironi, por unë këtu nuk rri të vegjetoj. Ose do ta bëjmë Shqipërinë me atë vizion që më keni mbështetur, ose më thoni që keni një vizion tjetër dhe vijoni me këdo që dëshironi. Unë jam ok”, tha Rama.

Rama paralajmëroi gjithashtu se largimi i investitorëve strategjikë do të kishte pasoja për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, duke ngadalësuar, sipas tij, interesin ndërkombëtar për Shqipërinë.

“Nëse këta investitorë largohen, nuk është problem që nuk do të bëhet Zvërneci, por problemi është se këtu nuk do të vijë më askush për një kohë të gjatë, sepse do të thonë se këtu nuk merren vesh gjërat”, tha ai.

Kryeministri theksoi se qeveria synon zhvillim të qëndrueshëm dhe investime të nivelit të lartë, ndërsa tha se në fund duhet të vendosin qytetarët.

“Ose zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë ekselence, ose unë me forcë kundër jush nuk jam i interesuar. Me forcë kundër atyre që kam kundërshtarë nuk kam asnjë problem, por me forcë kundër jush jo, unë nuk e pranoj,” u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme