Projekti për muzeun arkeologjik, Zhupa: “Po shkatërroni identitetin kombëtar”, Gonxhja: “Rrit turizmin” 

Kulturë | 6 muaj më parë

Deputetja e opozitës Ina Zhupa ka kundërshtuar projektin për ngritjen e Muzeut Arkeologjik në mjediset e një parkingu nëntokësor. Në një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e linjës, ajo e cilësoi këtë vendim si antikombëtar. 

“Në Shqipëri projekti është që gjetjet që janë në dritën e diellit t’i groposim, t’i fusim në parking nëntokësor. A thua se na vjen turp nga identiteti dhe nga historia e shqiptarëve. Është një vrasje që i bëhet identitetit kombëtar. Është një model i paprecedent dhe e kam thirrur ministrin që të më thotë cili është modeli ndërkombëtar që i referohet në konceptimin e një kati parkimi si muze arkeologjik” – u shpreh deputetja e PD, Ina Zhupa. 

Nga ana tjetër, ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, duke sjellë disa shembuj nga vendet e tjera, sqaroi se projekti është në fazë fillestare dhe se do të jetë vlerë e shtuar për turizmin. 

“Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit i është referuar praktikave të huaja që integrojnë funksionin muzeal në burimet edhe nëntokësore. Për shembull në Romë, në Krakovë, në Luvër e të tjera, të cilat evidentohen se sigurojnë ruajtje të përshtatshme të objekteve dhe nevojave të integruara për publikun. Ka më shumë gjenerim turizmi kulturor dhe promovim të vlerave tona identitare. Projekti gjithsesi është në fazë paraprake. Në këtë fazë nuk është zhvilluar ende një proces i formalizuar i konsultimit publik. Parashikohet që gjatë fazës së projektimit të përfshihen edhe institucione të specializuara.” 

Gonxhja shtoi se kërkesa e parë u paraqit nga vetë Akademia e Shkencave dhe ministria ka sugjeruar që projektimi të sigurojë kushtet e ruajtjes. Sipas tij, trajtimi i institucioneve muzeale është dhe do të mbetet primar. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme