Projektligji “Për Grupimet Ekonomike me Interes Evropian”, bizneseve shqiptare u ofrohen lehtësi bashkëpunimi me homologëve të tyre evropianë

Ekonomi | 1 vit më parë

Qeveria ka hartuar një projektligj “Për Grupimet Ekonomike me Interes Evropian (GEIE)”, që synon të sjellë Shqipërinë në një linjë me standardet evropiane.

Projektligji “Për Grupimet Ekonomike me Interes Evropian” synon të krijojë një kuadër ligjor që do të lejojë bizneset shqiptare të bashkëpunojnë më lehtë me homologët e tyre në Bashkimin Evropian, duke transpozuar plotësisht rregulloren e BE-së për GEIE-t.

Qëllimi kryesor i projektligjit është të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik ndërkufitar. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor për këto grupime, gjë që konsiderohet një pengesë për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Duke krijuar bazën ligjore për GEIE-t, projektligji eliminon këtë boshllëk dhe inkurajon partneritetet e reja.

Ky hap është thelbësor për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, duke përmbushur një detyrim të Kapitullit 6 të bisedimeve për anëtarësim. Kjo vërteton angazhimin e Qeverisë për të përafruar ligjet me acquis communautaire.

“GEIE-t janë entitete pa qëllim fitimi që shërbejnë si një instrument fleksibël për bashkëpunim. Ato u mundësojnë anëtarëve (persona fizikë ose juridikë) të ndërmarrin projekte të përbashkëta në fusha si turizmi, eksportet, apo shërbimet profesionale, pa pasur nevojë të themelojnë një shoqëri tregtare të re.”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Kjo nismë pritet të nxisë inovacionin dhe konkurrencën në ekonomi, duke i ofruar bizneseve shqiptare të njëjtat mundësi bashkëpunimi si ato të homologëve të tyre evropianë.

Çfarë rregullon projektligji?

Projektligji, i përbërë nga 43 nene, detajon të gjitha aspektet e nevojshme për krijimin dhe funksionimin e GEIE-ve në Shqipëri, duke filluar që nga themelimi dhe anëtarësia, ku përcaktohen kushtet për formimin e një GEIE-je. Kërkohen të paktën dy anëtarë nga juridiksione të ndryshme (p.sh. një nga Shqipëria dhe një nga një shtet anëtar i BE-së).

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) caktohet si institucioni përgjegjës për regjistrimin e GEIE-ve. Fitimi i personalitetit juridik vjen vetëm pas regjistrimit, dhe të dhënat kryesore të GEIE-së duhet të publikohen për transparencë, shkruan rtsh.al.

Projektligji thekson se çdo anëtar ka të drejtën e një vote, duke ruajtur barazinë. Megjithatë, për vendimet kryesore si ndryshimi i objektivave të grupimit, kërkohet unanimitet.

Anëtarët e një GEIE-je kanë përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare për detyrimet e grupimit ndaj palëve të treta. Ky është një element dallues i GEIE-ve.

Lidhur me shpërbërjen dhe likuidimin, përcaktohen qartë arsyet dhe procedurat për mbylljen e një GEIE-je, duke përfshirë edhe procesin e likuidimit në rastin e falimentimit.

Projektligji parashikon gjoba administrative për mosrespektimin e detyrimeve ligjore, si p.sh. mosdepozitimi i dokumenteve të nevojshme pranë QKB-së.

Projektligji është në përputhje me Kushtetutën, me ligjet ekzistuese tregtare dhe me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë shqiptare dhe hap rrugën për një integrim më të thellë në tregun e brendshëm evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme