Prokuroria e Tiranës merr të pandehur dy mjekë të “Koço Gliozhenit”: Mosndërhyrja në kohë, çoi në humbjen e jetës së foshnjes së porsalindur

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë të Maternitetit “Koço Gliozheni” për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, mosveprimi në kohë i të cilëve çoi në humbjen e jetës së një të sapolindure.
Kallëzimi u depozitua nga mamaja e foshnjës, dhe pas aktevetë ekspertimit ka rezultuar se vdekja e foshnjës ka ardhur si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit (një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale).
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës janë rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë.
Po ashtu,Prokuroria argumenton se mosveprimi i mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, kanë qenë faktor vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të foshnjes.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuar mbi procedimin penal nr.6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z. pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.
Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur”, thuhet në vendim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




