Protesta hyn në ditën e 69-të, qytetarët vijojnë tubimin para Kryeministrisë
Protestues dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur sërish sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 69-të të tubimit të tyre të vazhdueshëm kundër politikave të qeverisë.
Tubimi nisi fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe hodhën parulla me kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe reformimin e thellë të sistemit politik në vend, për t’u ndaluar para Kryeministrisë.
Ndërkaq, gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri e cila po ndjek në terren protestën ka shpjeguar se “…është parashikuar, sipas planit, të vijojë edhe itinerari në rrugët kryesore të kryeqytetit. Një marshim i cili është kthyer, le të themi, në traditë tashmë, pasi çdo natë, ashtu edhe ditën e sotme, në ditën e 69-të të kësaj rezistence, qytetarët do të vijojnë me marshimin për t’u kthyer ditën e nesërme me sloganin kryesor që ka patur kjo protestë: ‘Nesër më shumë’, duke deklaruar qytetarët se deri në momentin që qeveria Rama do të reflektojë për sa i përket pesë kërkesave të tyre, të cilat janë shpalosur, pra reflektimi pritet nga ana e qytetarëve që të plotësohen pesë kërkesat, atëherë kjo do të jetë e vetmja formë, le të themi, që qytetarët të ndalin këto tubime dhe këto protesta, duke deklaruar se do të vijojnë më shumë protestat.”
Ajo theksoi se në fundjavë do të ketë edhe protestë kombëtare, ku kanë paralajmëruar se pritet që edhe diaspora të bëhet pjesë e protestës.
“Madje, në fundjavë do të ketë edhe protestë kombëtare, ku kanë paralajmëruar se pritet që edhe diaspora t’i bëhet pjesë e këtyre tubimeve dhe e këtyre protestave.
Në fakt, në rast se do të bënim një krahasim të pjesëmarrjes ditë pas dite, le të themi që ka patur ditë ku ka patur një rënie, ka patur ditë ku qytetarët kanë marrë pjesë më shumë. Megjithatë, nga podiumi, organizatorët e kësaj proteste kanë deklaruar se, në fakt, kushtet përsa i përket temperaturave, por jo vetëm, edhe angazhimeve që mund të ketë patur secili prej qytetarëve, kanë bërë të mundur që të ketë, le të themi, një reduktim të numrit të pjesëmarrësve në këtë protestë.
Por këta të fundit kanë deklaruar se do ta vijojnë këtë rezistencë dhe pritet që në shtator, pra edhe në muajt në vijim, të ketë një pjesëmarrje më të lartë, bazuar kjo edhe për faktin se, sipas organizatorëve apo pjesëmarrësve të kësaj proteste, natyrisht edhe pushimet verore që kanë patur apo angazhimet personale që ka patur secili prej pjesëmarrësve, nuk e bëjnë të mundur, le të themi, që për çdo ditë qytetarët të jenë pjesëmarrës në protestën në bulevardin Dëshmorët e Kombit”, tha gazetarja Omeri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



