Protesta në mbështetje të UÇK-së, Haklaj: Do vërtetojmë se jemi një komb. Pas tubimit shfaqim film me krimet ndaj Kosovës

Aktualitet | 1 vit më parë

Një prej organizatorëve të tubimit Azgan Haklaj i ftuar në studion e RTSH24 ka dhënë detaje mbi protestën që do të mbahen këtë të premte (17 tetor) në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Haklaj deklaroi se protesta organizohet nga Organizatat e veteranëve të dalë nga lufta dhe ka karakter kombëtar. Ai shpreson se kjo protestë do të mbledhë në Tiranë gjithë trojet shqiptare dhe ato që i cilëson si “gjymtyrën e ligjit kombëtar të ndara padrejtësish”.

“S’ka protestë të politizuar.  E organizojnë organizatat e veteranëve të dalë nga lufta, ne të tjerët jemi aksesor. Protesta ka karakter kombëtar, shpresojmë të ketë pjesëmarrje masive nga gjithë trojet shqiptare, gjymtyrët e ligjit kombëtar shqiptar të ndara padrejtësisht nga memorandumet, konferencat do bëhen bashkë në Tiranë. Kjo protestë i jep përgjigje tezës së shumëpërfolur të kombit kosovar. Ne do vërtetojmë se s’jemi komb kosovar, ka një komb shqiptar, lindim shqiptar dhe do vdesim shqiptar”, deklaroi ai, ndërsa përsëriti edhe njëherë mbështetjen ndaj UÇK-së.

Haklaj bëri me dije se pas protestës do të transmetohet një film te Salla e Kulturës, ku do të paraqiten krimet mizore, siç thotë ai, të “makinës ushtarake të Sllobodan Millosheviçit”.

“Do mbështesim UÇK e cila ka nënshkruar një prej faqeve më të lavdishme të historisë së re të kombeve shqiptare.

Ajo ishte një betejë e paktë në numër por e fuqishme në forcë. Me mbështetje të SHBA, Aleancës së Atlantikut ja dolëm të realizojmë ëndrrën për të cilën luftuam për shumë kohë. Ishin beteja epike, legjendare. Dhanë jetën për Kosovën. Ishin beteja në kushte shumë të pabarabarta, si beteja spartane.

Janë mijëra të zhdukur e të vrarë. Janë aktet më mizore që ka bërë ushtria serbe. Gjykata e Hagës po sillet me çlirimtarët si kriminelë, ndërkohë po amniston kriminelët.

Pas protestës sot kemi dhe transmetimin e një filmi te salla e kulturës ku paraqiten krimet mizore të makinës ushtarake të Sllobodan Millosheviçit. Janë 100 vrasje masive, 74 të regjistrua”, shtoi Haklaj.

Në përfundim të fjalës së tij, ai u ndal dhe te Gjykata e Hagës dhe gjyqi që po u bëhet ish-krerëve të  UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

“Nga mënyra si po interpretohet historia e UÇK-së, dhe nga mënyra si po akuzohen ata me akuza “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe me dëshmitarë të intimiduar, të blerë. Tani ka filluar të ndryshohen dhe ngjarjet kriminale, ka dhe një nënë serbe që do dëshmojë se ushtria e UÇK nuk është kriminele, sepse shpëtoi dy djemtë e mi të marrë peng nga Millosheviçi dhe i dërgoi në Kosovë të luftonin kundër Kosovës.

Do kemi dhe dëshmitarë të tjerë që janë në mbrojtje të UCCK dhe ka ndryshim të rrjedhës si do rrjedhshin ngjarjet në Hagë. Prandaj ne themi: Drejtësi dhe jo vendim të padrejtë në emrin tim. Sepse gjykata u themelua nga Parlamenti i Kosovës dhe u votua nga vetë z. Thaçi. Hashim Thaçi po shkonte në takime Trump dhe u arrestua nga Smith”, tha ai.

Sot (17 tetor) në Tiranë do të mbahet Protesta Gjithëkombëtare “Unë jam UÇK” për të denoncuar procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-kryeparlamentarë të vendit, të akuzuar se kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit me Serbinë.

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë do nisë në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në mbështetje, do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme