Protesta në Zvërnec, nën hetim 17 persona, reagon kompania: Prona është private, do ruhet biodiversiteti
Këtë të shtunë në vendin e quajtur Portonov qytetarët dhe shoqëria civile mbajtën një protestë kundër projektit që pritet të zhvillohet në bregdetin e Zvërnecit, ku nuk munguan dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Pas situatës së krijuar ka reaguar dhe kompania që do të kryejë këtë investim, ku në sqarimin e saj thotë se projekti po zhvillohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se sipas saj rrethimi i zonës është vendosur në një pronë private të blerë ligjërisht.
Sipas kompanisë, projekti pritet të kapë vlerën e mbi 4 miliard eurove, të krijojë më shumë se 10.000 vende pune dhe të ketë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Në shpjegimin e saj, kompania garanton se ruajtja e mjedisit dhe biodiversitetit do jetë prioritet, ndërsa studimet përkatëse po realizohen nga ekspertë ndërkombëtarë. Kompania nënvizon se të gjitha procedurat janë ndjekur sipas ligjit, se projekti arkitektonik dhe ai mjedisor do të bëjnë publik pas finalizimit dhe se investitorët synojnë ta shndërrojnë Vlorë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit ndërkombëtar.
Gjithashtu, kompania ka dënuar aktet e dhunës ndaj pronës private duke paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj çdo përpjekjeje për të penguar apo shantazhuar projektin.
Ndërkohë në qëndrimin e saj Policia e Shtetit bën me dije se territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private me dokument të rregullt hipotekor dhe maturizimin ligjor për rrethimin dhe në këtë pikë ju kërkon qytetarëve që çdo pretendim mbi një pronë private ta adresojnë në gjykatë.
Duke kërkuar ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë së Policisë së Vlorës lidhur me një qytetar që protestoi në Zvërnec, Policia e Shtetit vendosi dhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Policisë së Vlorës.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




