Provokimet me dronë të Rusisë, Krisafi: Moska ka si qëllim të testojë nenin 5 të NATO-s

Europë | 1 vit më parë

Eksperti i çështjeve të gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi i ftuar në ‘Tema e Ditës’ në RTSH1 ka deklaruar se ka një ide që po  qarkullon në qarqet e Moskës që Rusia mund të testojë nenin 5 të NATO-s.

Sipas Krisafit kjo ka ngritur alarmin në qarqet diplomatike dhe ushtarake të NATO-s, ku sipas tij, Moska mund të jetë duke planifikuar një provokim të madh për të testuar nëse Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut – klauzola e mbrojtjes kolektive – funksionon në praktikë.

Krisafi theksoi se  ky test mund të ndodhë në hapësirën ajrore të Estonisë ose Polonisë, ku shkeljet e vazhdueshme ruse të kufijve të NATO-s po rriten në intensitet.

 “Alarmi është i vërtetë sepse ka një ide që qarkullon në Moskë që ky mund të jetë momenti që Rusia të testojë nëse Neni 5 i NATO-s mund të funksionojë apo jo,” paralajmëroi Krisafi nënvizuar se e gjithë Aleanca varet nga ky nen; “Nëse bie Neni 5, bie NATO.”

Ky paralajmërim vjen në një moment të tensionuar, pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s nga avionë dhe dronë rusë, të cilat analistët i konsiderojnë si “probes” (testime) të qëllimshme të vendosmërisë së Aleancës.

Incidentet e fundit kanë filluar më 10 shtator, kur Polonia raportoi se 19-23 dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ndaj Ukrainës – shkelja më e madhe e kësaj natyre që nga invazioni rus i plotë i Ukrainës në 2022.

Varshava e cilësoi këtë si “provokim rus të qëllimshëm” dhe aktivizoi Nenin 5, duke kërkuar konsultime urgjente me aleatët. 

Krisafi thekson më tej se ideja për një test të Nenit 5 – i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve – po qarkullon në Moskë si një mundësi strategjike.

“Kjo mund të funksionojë në Estoni ose në Poloni në pjesën ajrore të saj. “E gjithë NATO mbahet te Neni 5. Nëse bie Neni 5, bie NATO. Rusët mendojnë se ky mund të jetë momenti i duhur për ta testuar nëse funksionon apo jo, sepse asnjë nuk e di nëse funksionon apo jo. Nuk e kemi parë ndonjëherë në praktikë. Aq më tepër nuk e kemi parë nëse funksionon me një vend si Rusia, sepse mund të funksionojë me një vend që nuk është vend bërthamor, që nuk ka këtë fuqi ushtarake që ka Rusia”, u shpreh Krisafi.  

Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA-së, por kurrë kundër një fuqie si Rusia, e cila posedon arsenalin më të madh bërthamor në botë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme