PS diskuton Shqipëria 2030, Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje për integrimin

Partia Socialiste mblodhi sot grupin parlamentar për të diskutuar mbi sfidat parlamentare në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”. Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, deklaroi se deri më 27 shkurt pritet të miratohet një akt normativ si dhe 38 projektligje, shumica e të cilave lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Manja theksoi se çdo ministër duhet të ketë në dorë listën e relatorëve të komisioneve përkatëse, në mënyrë që të sigurohet koordinimi i plotë mes qeverisë, Kuvendit dhe negociatorëve me Brukselin.
“E strukturuar, negociatorët tanë diskutojnë me Brukselin, dy ministret tona i kemi atje që negociojnë me Brukselin, qeveria sigurisht koordinon gjithë procesin, Kuvendi i Shqipërisë jemi ne ku do të duhet të kalojmë projektligjet,” tha Manja.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes ministrave, relatorëve dhe kryetarëve të komisioneve është thelbësor për dinamikën e miratimit të ligjeve:
“Kjo është skuadër: ministër, qeveri, relator dhe kryetar komisionesh, të jemi në një drejtim.”
Në përmbledhjen e punës së komisionit gjatë vitit 2025, Manja raportoi se janë zhvilluar 30 mbledhje, janë trajtuar 38 ligje (nga të cilat 6 si komision përgjegjës dhe 32 për dhënie mendimi), si dhe 8 projektvendime ku komisioni ka qenë përgjegjës. Gjithashtu, janë miratuar 70 amendamente, të cilat sipas tij kanë shtuar vlerë në projektligjet e kaluara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




