Publikohet lista e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, Llagami dhe Vokshi kryesojnë renditjen

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka përmbyllur procesin e vlerësimit për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, të liruar pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Pas një procesi të gjatë verifikimi dhe pikëzimi, KED ka miratuar listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve, me Asim Vokshin dhe Naureda Llagamin në krye.
Procedura, e nisur me shpalljen e vendit vakant nga Gjykata e Lartë më 11 dhjetor 2024, përfshiu 13 kandidatë fillestarë. Pas një sërë verifikimesh të thelluara për integritetin, pasurinë dhe kushtet ligjore, KED vendosi të lejojë kandidimin e gjashtë prej tyre.
Kandidatët e lejuar për kandidim janë:
Asim Vokshi
Naureda Llagami
Florian Ballhysa
Alma Faskaj
Genta Tafa (Bungo)
Alban Toro
Sipas raportit, kandidatë të tjerë si Denar Biba, Sinan Tafaj dhe Rezana Balla nuk u lejuan të vijonin procedurën.
KED, i cili u konstituua në fillim të vitit 2025, ndoqi një metodologji të detajuar vlerësimi bazuar në meritën profesionale, morale dhe organizative. Këshilltarët i dhanë pikë çdo kandidati individualisht, duke u bazuar në dokumentacionin e tyre dhe në intervistën e zhvilluar më 16 shtator 2025. Pikëzimi final për secilin kandidat u llogarit si mesatarja aritmetike e pikëve të dhëna nga të gjithë anëtarët e Këshillit.
Renditja përfundimtare e kandidatëve, e miratuar me vendimin nr. 33, datë 17.09.2025, është si më poshtë:
Asim Vokshi me 89.5 pikë
Naureda Llagami me 89.3 pikë
Florian Ballhysa me 77.83 pikë
Alma Faskaj me 77.77 pikë
Genta Tafa (Bungo) me 75.44 pikë
Alban Toro me 74.22 pikë
Sipas Kushtetutës, vendi i lirë në Gjykatën Kushtetuese duhet të plotësohet nga një prej tre kandidatëve të parë në listën e KED. Ky vend vakant i takon Gjykatës së Lartë për të bërë përzgjedhjen përfundimtare. Raporti i KED, së bashku me dosjet e kandidatëve, do t’i dërgohen Gjykatës së Lartë për emërimin e gjyqtarit të ri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




