Punësimi i të huajve në Shqipëri – Sektori privat, kërkesë për thjeshtimin e burokracive me dokumentet
Shifrat e fundit zyrtare, sa i përket shtetasve të huaj që punojnë në Shqipëri, kthyen edhe njëherë vëmendjen tek boshllëku që po lë emigrimi për fuqinë punëtore në sektorin privat.
Bizneset shprehin shqetësimin lidhur me skemën e punësimit të të huajve, e cila sipas tyre ka disa problematika.
“Pagesat shqiptare nuk janë atraktive për punonjësit e huaj. Më e rëndësishme është edhe kostoja për biznesin. Kryesorja është fakti i burokracisë. Edhe pse është lehtësuar procedura e marrjes së lejes së qëndrimit, prapë ka ngërçet e saj, pasi duhet të përplasesh në dyert e komunave, në dyert e emigracionit. Përtej kostos që ka mbajtja e këtyre punonjësve, edhe integrimi ka vështirësitë e veta,” tha Edvin Prençe, president i ProEksport Albania.
“Skema nuk funksionon, sepse ne kemi dy lloje niveli biznesi. Funksionon për bizneset e mëdha, ata që kanë një numër të konsiderueshëm dhomash ose kanë një biznes të konsoliduar vjetor, por për biznesin e vogël sezonal ose të mesëm nuk mund të funksionojë”, shprehet Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bar-Restoranteve.
Gjithashtu sektori privat i shikon si të domosdoshme politikat afatgjata për kualifikimin dhe integrimin e punëtorëve të huaj në funksion të qëndrimit sa më gjatë në vendin tonë.
“Mendoj që duhet bërë një politikë afatgjatë nëse duam ta mbështesim turizmin si një nga shtyllat tona, por kjo gjë duhet të bëhet nga të gjitha grupet e punës që ta shohin gjënë afatgjatë,” thekson Jahaj.
Pavarësisht rritjes së numrit të të huajve me leje pune në Shqipëri, këta të fundit zënë vetëm 2% nga 560 mijë të punësuar që kontribuojnë në sektorin privat.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




