Putin paralajmëron: Trupat perëndimore në Ukrainë do jenë shënjestër e ushtrisë ruse

Europë | 1 vit më parë

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi këtë të premte se vendosja e trupave të huaj si garanci sigurie për Ukrainën do të konsiderohej nga Moska si një objektiv legjitim për t’u sulmuar.

Ai tha se një marrëveshje paqeje do ta bënte të panevojshme praninë ushtarake të jashtme në Ukrainë.

“Sa i përket vendosjes së mundshme të kontingjenteve ushtarake në Ukrainë, kjo është një nga shkaqet rrënjësore që e tërheq Ukrainën drejt NATO-s. Prandaj, nëse shfaqen trupa atje, veçanërisht tani, në mes të luftimeve, ne do t’i konsiderojmë ato si objektiva legjitime për sulm,” tha presidenti rus të premten, gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Lindor (EEF) në Vladivostok.

Deklarata e tij erdhi pas njoftimit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili pas Samitit të “Aleancës së Vullnetarëve” për Ukrainën, tha se 26 vende perëndimore janë zotuar t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie, përfshirë një forcë ndërkombëtare nga toka, deti dhe ajri.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke kërkuar që garancitë të zbatohen menjëherë, pa pritur përfundimin e luftës.

Nga Forumi Ekonomik në Vladivostok, Putin përsëriti ftesën për Zelenskyn që të udhëtojë drejt Moskës për negociata, duke garantuar siguri të plotë për delegacionin ukrainas.

“Ejani. Me siguri do të sigurojmë të gjitha kushtet për të punuar të sigurt së bashku, 100%,” tha ai.

Putin shtoi se dialogu me presidentin amerikan Donald Trump mbetet i hapur, por pranoi se kohët e fundit nuk kanë komunikuar, pasi sapo ishte kthyer nga një vizitë në Kinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme