“Qendrat për emigrantët janë të nevojshme”, ministri i Brendshëm i Italisë: Aktualisht përdoren si qendra riatdhesimi

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjatë një interviste për kanalin televiziv italian LA7, Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi ka folur për qendrat e riatdhesimit të emigrantëve, të ngritura nga qeveria e vendit të tij në Shqipëri.

I pyetur për dobinë e tyre, Piantedosi u përgjigj se janë të nevojshme pasi siç ai thotë janë një lloj modeli i asaj që Evropa po përpiqet të konfirmojë.

“Ne kishim, kemi dhe do të kemi nevojë për to. Siç e kemi thënë qendrat e pritjes janë një shembull i asaj që Evropa po përpiqet të afirmojë edhe në përgatitjen e rregullave dhe rregulloreve që së shpejti do të hyjnë në fuqi“, tha Piantedosi.

Piantendosi theksoi pozicionin e Shqipërisë, si vend që ndodhet pranë Italisë, por edhe një shtet kandidat për anëtarësim në BE, duke u shprehur se duhet të jetë pjesë e Unionit.

Lidhur me funksionimin e qendrave për migrantët, ministri sqaroi se “Ato nuk janë ende plotësisht funksionale, por tashmë funksionojnë si qendra pritjeje me qëllim riatdhesimin. Ne i aktivizuam disa muaj më parë dhe 50% e personave që u dërguan atje janë riatdhesuar tashmë“, u shpreh Ministri i Brendshëm i Italisë.

Piantedosi foli gjithashtu edhe për rolin e Evropës duke theksuar se nismat për qendrat në Shqipëri janë një model që duhet ndjekur nga të gjitha vendet.

Që nga përurimi i dy qendrave të pritjes në Shëngjin dhe Gjadër, në tetor të vitit të kaluar, gjykatat italiane kanë ndaluar autoritetet që t’i përdorin ato dhe grupe të vogla emigrantësh janë kthyer në Itali.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme