Qeveria e Kosovës: E arrestuara për spiunazh në Kroaci nuk kishte qasje në informacione konfidenciale

Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se shtetasja serbe e arrestuar në Kroaci, A.M., e dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë, mund të ketë marrë informacione konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, theksoi se qasja në informacione të rëndësishme në Zyrën e Kryeministrit është “strikt e kufizuar”.
Arrestimi i A.M. dhe një shtetasi kroat, pilot i KFOR-it, në Kroaci, ka ngritur dyshime për veprimtari spiunazhi që lidhet me Listën Serbe dhe operacione në Kosovë. Zëdhënësi Kryeziu u shpreh se institucionet e sigurisë së Kosovës janë në gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me autoritetet kroate, duke qenë se veprimtaria e dyshuar ka ndodhur në territorin e Kosovës.
Kryeziu shtoi se Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit në Kosovë pas humbjes së kontrollit në veri të vendit, duke përmendur dy raste të tjera të arrestimeve të dyshuarish për spiunazh brenda vitit: një toger i Policisë së Kosovës në korrik dhe një punonjës i misionit të OSBE-së në shkurt.
Nga ana tjetër, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, mohoi çdo lidhje me të arrestuarën A.M., duke deklaruar se ai dhe asnjë anëtar tjetër i partisë nuk e njohin atë.
Ndërkohë, Prokuroria e Qarkut në Split të Kroacisë ka vendosur masën e paraburgimit për të dy të dyshuarit, J.I. dhe A.M., me arsyetimin e rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët. Hetimet janë shpallur tërësisht sekrete për të mos dëmtuar procesin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




