Qeveria e re dhe zgjedhjet lokale në Kosovë, kandidati i LVV: “Kurti 3” krijohet brenda afatit, më 12 tetor fitojmë Prishtinën
Ndërsa Kosova pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje shprehet e bindur se do ta krijojë qeverinë “Kurti 3”.
Hajrullah Çeku, ministri në detyrë i Kulturës, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, në një intervistë për “KosovaPress” thotë se qeveria e re do të krijohet brenda afatit.
“Ne po presim vendimin përfundimtar më 30 shtator. Kështu është paralajmëruar nga Gjykata Kushtetuese. Duhet të bëhet konstituimi apo të konstatohet konstituimi nga Gjykata Kushtetuese, pastaj ne e kemi 15-ditëshin tonë. Unë jam shumë i sigurt që momentin që konstituohet Kuvendi, brenda atij afati do ta kemi qeverinë ‘Kurti 3’,” u shpreh ministri Çeku.
Lidhur me vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, ministri në detyrë i Kulturës, tha se Serbia është shkaku i vetëm për të cilin kanë dallime me partnerët ndërkombëtarë.
“Sa herë që kemi pasur dallime në mendime, në qasje me partnerët tanë ndërkombëtarë, kjo është lidhur vetëm me një temë, vetëm me Serbinë,” tha z. Çeku.
Pas drejtimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Çeku tani synon të marrë drejtimin e Komunës së Prishtinës, ku më 12 tetor garon si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. I bindur në fitore, ai tha është koha që PDK-ja dhe LDK-ja, dy partitë që kanë drejtuar kryeqytetin në vitet e fundit, të dalin në opozitë.
“Nuk ka shkop magjik. Unë nuk premtoj mrekulli. Unë premtoj aq sa mund të bëjmë, por nëse aty kam ndihmën e qytetarëve, zgjidhjet mund të jenë edhe më të mira, por edhe më të qëndrueshme. Në këtë kuptim jam shumë i motivuar me përgjigjen që po marr prej qytetarëve dhe jam shumë i sigurt në fitoren tonë,” deklaroi kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën.
Më 12 tetor, z. Çeku do të përballet me kryetarin aktual të Prishtinës, kandidatin e LDK-së Përparim Rama, Uran Ismailin nga PDK-ja, Bekë Berishën nga AAK-ja dhe Besa Shahinin, e cila përfaqëson Partinë Socialdemokrate.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




