Qeveria krijon “MobAl”, shoqëria e re shtetërore që merr në dorë transportin publik rrugor

Aktualitet | 1 vit më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e shoqërisë aksionare “MobAl” sh.a., një strukturë e re me kapital 100% shtetëror që do të ketë si qëllim operimin, organizimin dhe modernizimin e transportit publik rrugor në Shqipëri. Ky hap shihet si thelbësor drejt përmirësimit të cilësisë, monitorimit dhe dixhitalizimit të këtij shërbimi.

Shoqëria e re do të jetë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), e cila do të përfaqësojë shtetin si pronar i vetëm i aksioneve.

“MobAl” do të ketë një fushë të gjerë veprimtarie, duke ofruar shërbime kundrejt pagesës. Objektivat kryesorë të shoqërisë përfshijnë operimi i linjave të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë ato drejt destinacioneve turistike.

Transporti i specializuar që ka të bëjë me operimin e linjave të rregullta për transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimorë.

Po kështu do të kujdeset për parqet e autobusëve, stacionet, si dhe instalimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës së karikimit për mjetet elektrike.

Sipas vendimit të qeverisë, “MobAl” do të merret edhe me krijimin dhe menaxhimin e sistemit të biletimit elektronik, serverave për ruajtjen e të dhënave, si dhe aplikacioneve elektronike për menaxhimin dhe informimin në kohë reale.

Shoqëria do të ketë kompetenca edhe në organizimin, licencimin dhe monitorimin e operatorëve të tjerë të shërbimeve të transportit publik.

Kapitali dhe financimi

Kapitali fillestar për themelimin e “MobAl” është caktuar në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat do të transferohen nga buxheti i MIE-së.

Financimi i veprimtarisë së saj do të vijë nga disa burime si të ardhurat nga arkëtimi i tarifave të biletave; të ardhurat nga tarifa vjetore që do të paguhet nga subjektet private që kryejnë shërbimin e transportit publik rrugor; grante, hua dhe subvencione të tjera të ligjshme.

Sipas vendimit, MIE do të ndjekë procedurat ligjore për themelimin dhe regjistrimin e shoqërisë brenda 30 ditëve. Megjithatë, shërbimet e lidhura me infrastrukturën e operimit si stacionet, sistemet e karikimit apo biletimit elektronik, do t’i fillojnë efektet në shtator të vitit 2026.

Krijimi i “MobAl” me dy nivele administrimi (Asambleja e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori) ka si qëllim centralizimin, rritjen e transparencës dhe ofrimin e standardeve më të larta për qytetarët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme