Qeveria bën amnisti në fundvit, ministri i Drejtësisë: 380 të burgosur përfitojnë lirinë, 900 të tjerë ulje dënimi

Aktualitet | 10 muaj më parë

Qeveria Shqiptare ka bërë amnistinë e fundvitit. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook duke e cilësuar atë si një akt të frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane.

Sipas ministrit, kjo nismë është pjesë e një politike penale moderne, e cila synon rehabilitimin e të dënuarve, uljen e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe forcimin e sigurisë afatgjatë në shoqëri.

Falë kësaj amnistie, ministri thekson se 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa rreth 900 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. “Si rezultat, popullsia në burgje do të ulet me rreth 7%”, tha ministri.

“Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë për miratimin e një amnistie penale. Ky lajm i mirë është urimi më i mirë i këtij fundviti. Aministia është politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale. Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative“, nënvizon ministri i Drejtësisë.

Më tej Lamallari thekson edhe ata që nuk përfitojnë nga amnistia.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, shprehet Lamallari duke theksuar se “kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre”.

Mesazhi i plotë i ministrit të Drejtësisë:

Të dashur qytetarë, në mbyllje të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë nismën për miratimin e një amnistie penale, një akt ligjor ky i bazuar te humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë.

Ky lajm i mirë për përfituesit direkt dhe për familjet e tyre është me siguri urimi më i mirë i këtij fundviti. Kjo amnisti që ne do të miratojmë nuk është kurrsesi një lëshim politik, por një politikë penale moderne.
Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë ne burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë. Drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalim, rehabilitim dhe uljen e përsëritjes së veprave penale.

Amnistia që ne do të miratojmë në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor; përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane.

Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të mejëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Paraburgimi i tepruar është një shqetësim persistent në sistemin tonë penitenciar, shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Europës si dhe nga partnerët tanë evropianë. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, është dobësi e sistemit. Kjo amnisti e korrigjon në një farë mënyrë atë dobësi teksa ne kemi ende punë përpara për një politikë penale moderne që i përgjigjet stadit në të cilin Shqipëria është sot dhe nesër si vend anëtar i Bashkimit Europian.

Përmes kësaj amnistie qeveria po ndërmerr një tjetër akt parandalues dhe human, përpara se problemi të kthehet në krizë sistemike.

Më konkretisht, nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative.
Jam vecanërisht i lumtur që në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Efekti është konkret dhe i menjëhershëm:
-popullimi në burgje ulet me gati 7%
-përmirësohen kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit
-si dhe garantojmë më shumë respekt ndaj dinjitetit njerëzor

Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë.

Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre. Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike. Faleminderit dhe gëzuar festat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme