Qeveria miraton investimin 100 mln euro për “Portën e Alpeve” në Shkodër
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur pas mbledhjes së qeverisë miratimin e një pakete të rëndësishme investimesh infrastrukturore për qarkun e Shkodrës, të quajtur “Porta e Alpeve”.
Sipas tij, projekti përfshin një financim të kombinuar prej 100 milionë eurosh, ku 50 milionë euro vijnë nga një marrëveshje me Bankën Amerikane të Investimeve, ndërsa 50 milionë euro të tjera do të alokohen nga buxheti i shtetit.
Karakaçi sqaroi se programi përbëhet nga disa komponentë kryesorë. I pari parashikon rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe krijimin e qendrave multifunksionale, me synim përmirësimin e hapësirave publike në qytet.
Komponenti i dytë fokusohet në zhvillimin e akseve infrastrukturore që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin Buna, si dhe zonat e Malësisë së Madhe dhe Alpeve shqiptare.
Ndërkohë, pjesë e projektit janë edhe investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës bazë në të gjithë zonën.
“Kemi miratuar një investim të rëndësishëm infrastrukturor për qarkun e Shkodrës që quhet “Porta e Alepve” dhe nënkupton marrëveshje financimi me ABI-n në vlerën 50 mln euro, dhe 50 mln euro të tjera janë angazhuar nga qeveria për tu alokuar nga buxheti i shtetit. Pra 100 mln euro për portën e alpeve për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta.
Ky program ka disa komponentë; ka të bëjë me rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe qendrave multifunksionale duke u dhënë hapësira më të mira qytetarëve të qarkut.
Komponenti tjetër ka të bëjë me investime infrastrukturore në akse që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe pjesën e Malësisë së Madhe dhe Alpeve.
Komponenti tjetër, ka të bëjë me investime në rrjet kanalizimi dhe ujësjellësi”, deklaroi ministri.
Sipas Karakaçit, përmes kësaj marrëveshjeje krijohet për herë të parë një korridor i integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik, duke synuar zhvillimin e një turizmi më të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, si dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët e qarkut.
“Për herë të parë përmes kësaj marrëveshje krijojmë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik, duke krijuar një mundësi për sezonalitet të plotë turistik dhe duke qëndruar më afër qytetarëve”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




