Qeveria miraton në parim marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në për financimin ushtarak

Aktualitet | 5 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim një marrëveshje për hua direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila kap vlerën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë. Ky financim do të akordohet në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF) dhe synon të mbështesë sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend.

Vendimi vjen me propozimin e përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave, duke u mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor për marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas tekstit zyrtar të vendimit, Republika e Shqipërisë në këtë transaksion financiar përfaqësohet nga autoritetet e linjës financiare, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga agjencia e specializuar për sigurinë e mbrojtjes.

Në vendim thuhet se Këshilli i Ministrave vendosi “miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).”

Shuma e akorduar përmes këtij instrumenti të financimit ushtarak është specifikuar në vlerën e plotë valutore “me një hua në shumën totale prej 302 000 000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme