Qeveria miraton Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030, pranon në parim konventën e OKB-së kundër krimeve elektronike

Këshilli i Ministrave ka miratuar të enjten Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030 dhe Planin e Veprimit për periudhën 2025–2027, dokumente që synojnë forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike digjitale të vendit dhe rritjen e kapaciteteve shtetërore për parandalimin e sulmeve kibernetike.
Sipas vendimit të qeverisë, strategjia e re zëvendëson atë të miratuar për periudhën 2020–2025 dhe vendos bazat për një qasje më të koordinuar mes institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e sistemeve të informacionit.
Zbatimi i strategjisë do të udhëhiqet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Dokumenti parashikon masa konkrete për forcimin e sigurisë së rrjeteve të institucioneve shtetërore; ngritjen e ekipeve të reagimit ndaj incidenteve kibernetike; rritjen e ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen digjitale; dhe krijimin e një kornize të unifikuar për raportimin dhe menaxhimin e sulmeve kibernetike. Strategjia e re konsiderohet një hap i rëndësishëm për përputhjen e standardeve të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në fushën e sigurisë digjitale.

Objektivat
Objektivat e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025–2030 fokusohen në forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të vendit, duke krijuar një kuadër ligjor dhe teknik që siguron vazhdimësinë e shërbimeve dhe stabilitetin e sistemeve të informacionit.
Strategjia synon përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik, privat dhe aktorëve të tjerë për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të mundësuar shkëmbimin e informacionit të rëndësishëm në menaxhimin e incidenteve kibernetike. Një tjetër objektiv kyç është zhvillimi i kapaciteteve teknike dhe profesionale për të përballuar kërcënimet kibernetike, duke investuar në zhvillimin e aftësive dhe në teknologji të avancuara.
Për më tepër, strategjia promovon inovacionin dhe kërkimin shkencor për të përmirësuar aftësitë me qëllim parashikimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj sulmeve kibernetike, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të shoqërisë mbi sigurinë kibernetike. Në këtë kuadër, strategjia ka për qëllim përputhshmërinë me normat dhe direktivat e Bashkimit Evropian dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të adresuar kërcënimet e sofistikuara dhe ato hibride që mund të cënojnë sigurinë kombëtare dhe stabilitetin digjital të vendit.
Miratohet në parim Konventa e OKB-së kundër Krimit Kibernetik
Në një vendim të dytë, qeveria miratoi në parim Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik, e cila u nënshkrua në Nju-Jork më 24 dhjetor 2024.
Ky dokument ndërkombëtar synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimeve të kryera përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe të mundësojë shkëmbimin e provave elektronike në hetimet për krime të rënda.
Përmes kësaj konvente, Shqipëria angazhohet të përmirësojë legjislacionin penal për krimet kibernetike; bashkëpunojë me shtetet e tjera në hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve; dhe të ndërmarrë masa për ndarjen e sigurt të të dhënave digjitale si prova ligjore.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe hap rrugën për procedurat e ratifikimit të Konventës në Kuvend.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




