Qeveria vendosi kompensimin me 50 lekë/litri për karburantin, Shoqata e Transportit Publik: Të zgjatet deri në shtator 2026

Shoqata e Transportit Publik Qytetas i është drejtuar institucioneve qendrore dhe vendore me një kërkesë zyrtare për zgjatjen e masës së kompensimit të karburantit edhe për tre muaj të tjerë, deri në fund të shtatorit 2026.
Operatorët theksojnë se çmimet e larta të karburantit vazhdojnë të rëndojnë ndjeshëm bilancet financiare të kompanive të transportit publik, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit për qytetarët.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon që masa e kompensimit financiar në vlerën 50 lekë për litër karburant të vijojë edhe për periudhën korrik–shtator 2026, me të njëjtat procedura dhe kritere të përcaktuara në aktin normativ aktual.
“Në kushtet e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, paraqet kërkesën për zgjatjen e afatit të zbatimit të kësaj mase mbështetëse edhe për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh. Kështu, kërkojmë marrjen e masave për zgjatjen e afatit të kompensimit financiar në masën 50 lekë/litër karburant edhe për periudhën korrik shtator 2026, duke vijuar me të njëjtat procedura, kritere dhe dokumentacion të përcaktuar në aktin normativ në fuqi. Gjithashtu, vlerësojmë se vazhdimi i kësaj mase mbështetëse është i domosdoshëm për të garantuar vijimësinë dhe stabilitetin e shërbimit të transportit publik; shmangien e reduktimit të flotës dhe frekuencave të shërbimit; mbrojtjen e interesit qytetar dhe përballueshmërinë e transportit publik; ruajtjen e balancës financiare të operatorëve të licencuar të sektorit”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesën drejtuar Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si edhe Bashkisë së Tiranës, operatorët e transportit publik argumentojnë se situata në tregun e hidrokarbureve vijon të mbetet problematike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në kostot e aktivitetit të tyre.
Në argumentimin e saj, Shoqata nënvizon se vazhdimi i kësaj skeme mbështetëse është i domosdoshëm për garantimin e vijimësisë dhe stabilitetit të transportit publik dhe shmangien e reduktimit të flotës së autobusëve.
Kërkesa e plotë e Shoqatës së Transportit Publik
Shoqata e Transportit Publik Qytetas, në përfaqësim të operatorëve të transportit publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, duke iu referuar projektvendimit/VKM-së “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës në kushtet e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, paraqet kërkesën për zgjatjen e afatit të zbatimit të kësaj mase mbështetëse edhe për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh.
Referuar përmbajtjes së aktit të sipërcituar, vetë Këshilli i Ministrave ka pranuar ekzistencën e një situate të veçantë në tregun e hidrokarbureve, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të ushtrimit të aktivitetit të transportit publik. Aktualisht, kjo situatë jo vetëm që vazhdon të jetë prezente, por çmimet e karburantit vijojnë të mbeten në nivele të larta dhe me ndikim të konsiderueshëm financiar për operatorët e sektorit. Në kushtet kur karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit të transportit publik, vazhdimësia e çmimeve të larta ka sjellë rëndim të ndjeshëm të barrës ekonomike për subjektet transportuese, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit publik ndaj qytetarëve.
Në zbatim të parimeve të proporcionalitetit, vazhdimësisë së shërbimit publik dhe mbrojtjes së interesit publik, vlerësojmë se ekzistojnë ende kushtet objektive dhe ekonomike që justifikojnë vijimin e masës kompensuese të parashikuar në VKM, për aq kohë sa situata në tregun e hidrokarbureve nuk është stabilizuar. Kështu, kërkojmë marrjen e masave për zgjatjen e afatit të kompensimit financiar në masën 50 lekë/litër karburant edhe për periudhën korrik shtator 2026, duke vijuar me të njëjtat procedura, kritere dhe dokumentacion të përcaktuar në aktin normativ në fuqi. Gjithashtu, vlerësojmë se vazhdimi i kësaj mase mbështetëse është i domosdoshëm për të garantuar vijimësinë dhe stabilitetin e shërbimit të transportit publik; shmangien e reduktimit të flotës dhe frekuencave të shërbimit; mbrojtjen e interesit qytetar dhe përballueshmërinë e transportit publik; ruajtjen e balancës financiare të operatorëve të licencuar të sektorit.
Në pritje të një vlerësimi pozitiv të kësaj kërkese dhe marrjes së masave përkatëse institucionale, ju falënderojmë për bashkëpunimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



