Radiofest në edicionin e 16-të-Bashkon radiot e trevave mbarëshqiptare
Gazetarët e radiove u mblodhën nga të gjitha trevat shqipfolëse në Gjakovë. Është edicioni i 16-të i Radiofest-it, të cilin Radio Gjakova e organizon çdo fundviti.
Materialet konkurruese, të përgatitura mjeshtërisht nga kolegët e radiove pjesëmarrëse në tre gjini: reportazh, raportim radiofonik dhe spot publicitar.
Radio Struga, nga Maqedonia e Veriut, është radioja më e re, ngritur vetëm tre muaj më parë, por gazetarja e kësaj radioje, Fitore Istrefi, u shpall zëri më i mirë radiofonik.
Radio Tirana rrëmbeu vendin e parë me radioreportazhin “O flamuri më i bukur në botë” i gazetarit Jaho Margjeka.
Ndërthurur me elemente muzikore, Radiofesti mori ngjyrat e një spektakli të ngrohtë e shumë miqësor, duke përafruar edhe më shumë përvojat e kolegëve të të gjitha radiove mbarëshqiptare.
Të gjitha materialet e prezantuara kishin veçoritë e tyre, ndaj dhe përzgjedhja ia vështirësoi punën jurisë që drejtohej nga profesor doktor Melazim Koci.
Skënder Gola, drejtor i Radio Gjakovës, si mikpritës dhe organizator, nuk harron të thotë se ky Radiofest realizohet falë bashkëpunimit mes kolegëve në të gjitha trevat.
Një interpretim nga mjeshtri gjirokastrit i monofonisë, ose siç njihet ndryshe Logjatja labë, i dha edhe më tepër ngjyra Radiofest-it.
Gazetare: Nermin Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




