‘Rama i ka shpallur luftë drejtësisë’- Berisha-Nisim me protesta nën moton “ja vdekje, ja liri”

Politikë | 10 muaj më parë

Në daljen e tij të parë për vitin 2026, kreu i PD, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë.

Duke e krahasuar pushtetin e Ramës me atë të Maduros, Berisha paralajmëroi nisjen e protestave të reja nën moton “Ja vdekje, ja liri”.

“Po shkohet drejt një grushti të plotë shteti, ku pushteti ekzekutiv paralizon dhe merr gjithë pushtetin gjyqësor. Atëherë fjalën e ka populli dhe vetëm populli. Ndaj kjo situatë na fton dhe nuk na gjen aspak të papërgatitur. Ju ftoj të betohemi për misionin tonë të ri: largimin e ‘Ramaduros’ nga pushteti, zgjedhjet e lira, opozita në pushtet.”

Teksa akuzoi kryeministrin Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin, kryedemokrati deklaroi se mbështet çdo prokuror dhe gjykatës që respekton ligjin.

“Ne mbështesim dhe do të mbështesim çdo prokuror, çdo gjyqtar që zbaton ligjin. Nuk ka asnjë lider opozitar që mund të ketë imunitet ndaj drejtësisë, por kur ti arreston pa akuzë, vetëm si persona nën hetim në vitin elektoral, liderët e dy partive opozitare, kjo dëshmon se ti bën gjithçka për të marrë zgjedhjet.”

Gjithashtu, Berisha paralajmëroi se së shpejti do të ketë një tryezë të përbashkët me forcat politike dhe faktorë të shoqërisë civile, në atë që e cilësoi si betejë vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri kundër Edi Ramës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme