Rama në Bordin e Paqes: Shqipëria me trupa për stabilizimin e Gazës, propozojmë ndërtimin e një objekti për fëmijët palestinezë

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ku falënderoi Presidentin Donald Trump për ftesën dhe rolin e tij vendimtar në ndaljen e konfliktit në Gazë.
“Faleminderit të më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi zoti President. Shumë thonë që Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB, mua nuk më duket si përpjekje për ta zëvendësuar, por nëse ndihmon që ta shkundë atë gjigand në agoni dhe ta zgjojë, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes,” tha Rama.
Ai konfirmoi se Shqipëria do të marrë pjesë me trupat e saj në forcën e stabilizimit, duke e cilësuar këtë si një angazhim të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë.
“Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimin me trupat e saj“, theksoi Rama.
Në të njëjtën kohë, Rama propozoi që Bordi të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë në ndërtimin e një objekti publik për fëmijët palestinezë.
“Propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet që të kontribuojnë me ndërtimin e një objekti publik për fëmijët palestinezë. Bota do ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshëm të lunatizmit të Hamasit të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që kanë shtrënguar njerëzimin ndonjëherë. Në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese ku e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve,” u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



