Rama në Onkologjik: 50 milionë euro më shumë për Shëndetësinë në 2026. Ambicia jonë, ngritja e Institutit Kombëtar të Tumoreve
Kryeministri Edi Rama ishte sot (24 dhjetor) i pranishëm në Spitalin Onkologjik në QSUT, ku prezantoi një paketë masash për sistemin shëndetësor. Ai deklaroi se buxheti i shëndetësisë për vitin e ardhshëm është rritur me 50 milionë euro, ndërsa vetëm për barnat onkologjike janë akorduar 15 milionë euro shtesë.
Po ashtu, Rama theksoi se presioni i madh mbi Onkologjikun në Tiranë do të shpërndahet përmes rrjetëzimit të spitalëve rajonale, duke siguruar protokollet e nevojshme dhe mbulim të barabartë për pacientët në çdo territor.
“Ne kemi disa gjëra për të zgjidhur për shëndetësinë, e cila ka marrë 50 mln euro më shumë se këtë vit dhe ka marrë 15 mln euro ekstra vetëm për barnat onkologjike. Do të shtohet edhe një 15 mln tjetër në mesin e viti të ardhshëm për të patur një rimbursim domethënës të barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe për ta siguruar mbulimin me barna në të gjithë sistemin. I gjithë presioni imadh që vjen mbi onkologjikun në Tiranë të shpërndahet me rrjetëzimin e sistemit në spitalet rajonale, duke garantuar që protokollet dhe i gjithë mbulimi me barna të jenë garanci për pacientët në të gjithë territorin. Kemi vendosur në buxhet një kapacitet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë”, tha kryeministri.
Ambicia e qeverisë, sipas Ramës, është ngritja e Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe krijimi i një rrjeti kombëtar për trajtimin e kancerit.
“Do vazhdojmë me transformimin e QSUT për të mbyllur çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që po bëhet gjithmonë e më i madh jo vetëm ën Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithnjë e më shumë njerëz”, theksoi ai.
Kryeministri njoftoi gjithashtu rritje pagash për mjekët dhe infermierët, me një shtesë prej 135 euro në muaj. Për herë të parë do të aplikohet edhe një shkallë e re mbi bazën e vjetërsisë në punë, duke sjellë indeksim vjetor të pagës.
Ndër të tjera, Rama shtoi se plani i qeverisë përfshin edhe dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe futjen sa më shpejt të inteligjencës artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve.
“Do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët. Do të rritet 135 euro në muaj dhe është vendosur edhe një shkallë tjetër për herë të parë që do të bëjmë dhe vjetërsinë në punë. Indeksimi vjetori i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë dhe kjo do të jetë një shtesë tjetër që do vlejë qoftë për mjekët, infermierët apo edhe teknikët e shkencave mjekësore, gjë që shkon plus asaj rritjes. Do vazhdojmë edhe me gjithë pjesën tjetër të planit për të rritur dixhitalizimin dhe për të futur sa më shumë dhe sa më shpejt inteligjencën artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve”, tha kreu i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




