Rama nga Njësia 3: PS në rritje në 10 qarqe; BE na do si vend anëtarë, është momenti historik për integrimin
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar sot një takim me Asamblenë e PS-së në Njësinë 3 të kryeqytetit, ku ka analizuar rezultatet elektorale, ecurinë e integrimit evropian dhe planet e qeverisë për politikat sociale.
Gjatë fjalës së tij para strukturave të partisë, kreu i qeverisë vlerësoi performancën e Njësisë 3, duke e cilësuar atë si asamblenë e parë me të cilën takohet që shënon një rezultat zgjedhor në rritje, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ai dha edhe një pasqyrë të përgjithshme në nivel kombëtar, duke theksuar se në 12 qarqet e vendit, Partia Socialiste ka shënuar rritje në 10 prej tyre, ndërsa në 2 qarqe ka pasur rënie.
Rama nuk kurseu ironitë ndaj opozitës kur foli për sfidat e ardhshme elektorale: “Kundërshtarët tanë janë në kafe, ndërsa ne në punë dhe pastaj pyesin pse i humbëm zgjedhjet.”
Rama: Për herë të parë, BE-ja na do
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, Kryeministri ia kushtoi procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si një moment të paprecedentë historik. Ai bëri një analizë të shkurtër historike, nga shpresat e pas Luftës së Dytë Botërore që përfunduan në diktaturë, te zhgënjimet e tranzicionit post-komunist.
“Menduan shqiptarët se kur u çliruan nga diktatura do ishte rruga e duhur, por sërish kuptuan se nuk kishte respekt për ne. Na pranuan nga halli e me nënqeshje,” theksoi Rama.
Sipas tij, dinamika aktuale është krejtësisht e ndryshme: “Për herë të parë, jo vetëm ne duam të jemi anëtarë të BE-së, por edhe vetë BE-ja do që ne të bëhemi anëtarë. Kemi fituar respekt dhe besim, dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment me dyer të hapura për të bërë historinë.”
Pensionet, korrupsioni dhe kartat për ndihmën ekonomike
Sa i përket çështjeve të brendshme, Kryeministri u ndal te kërkesat për rritjen e pensioneve, duke argumentuar se kjo masë është e lidhur drejtpërdrejt me mundësitë financiare dhe rritjen e të ardhurave të shtetit. Sipas tij, rritja e të ardhurave ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e korrupsionit, ndërsa premtoi se qeveria do të arrijë nivele të arsyeshme pensionesh për vendin.
Për shtresat në nevojë, Rama njoftoi një sistem të ri të trajtimit të ndihmës ekonomike.
“Familjet me ndihmë ekonomike do të pajisen me një kartë për të marrë ushqimet bazë nëpër dyqane, me qëllim që kjo ndihmë të mos shpërdorohet,” tha ai. Ai shtoi se i njëjti sistem me kartë ushqimore do të aplikohet edhe për efektivët e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit, të cilët shërbejnë jashtë qendrave të tyre të banimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




