Rama pas takimit me homologun holandez: Partneritet strategjik mes dy vendeve, e pamendueshme disa vite më parë

Kryeministri Edi Rama reagoi pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, duke e cilësuar si një “kënaqësi të posaçme” ftesën dhe mikpritjen në rezidencën kryeministrore në Hagë.
Rama theksoi se gjatë takimit u diskutua për marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy vendeve, një zhvillim që sipas tij, deri pak vite më parë ishte i pamendueshëm.
Rama e vlerësoi këtë hap si një konfirmim të forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Holandës.
“Kënaqësi e posaçme ftesa dhe mikpritja e shefit të qeverisë së Hollandës, Dick Schoof, në rezidencën e tij kryeministrore në Hagë, ku folëm për marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, diçka e pamendueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkruan Rama.

Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare me BE në Bruksel, kryeministri Edi Rama vajti për vizitë në Hagë, ku u prit nga homologu holandez, Dick Schoof.
Më pas, Rama do të vizitojë Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, ku do të mbajë një fjalim dhe do t’u përgjigjet pyetjeve në një sesion të veçantë.
Instituti “Clingendael”, i themeluar në vitin 1983 pas bashkimit të pesë instituteve më të vogla, është i fokusuar në menaxhimin e konflikteve, kontrollin e krizave, negociatat diplomatike, zhvillimet brenda Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, si dhe në çështje të sundimit të ligjit, qëndrueshmërisë dhe diplomacisë ekonomike në rajone të ndryshme si Azia, Lindja e Mesme, Sudani dhe Kina.
Vizita e Kryeministrit Rama në këtë institut është pjesë e përpjekjeve për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



