Rama për protestat: Debati për Zvërnecin u devijua nga mjedisi te politika globale

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër një investimi në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se kritikat ndaj qeverisjes janë të nevojshme, por sipas tij problem bëhet kur ato shndërrohen në “identitet politik”.

Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se në Shqipëri shpesh politika nuk synon zgjidhjen e problemeve, por mbajtjen e tyre gjallë në debatin publik.

Sipas tij, kur kritika bëhet identitet, humbet qëllimi për zgjidhjen reale të problemeve dhe debati politik kthehet në një cikël të pandërprerë kundërshtimesh.

“Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Ka shumë nga kjo e sotmja, që filozovë e historian e kanë përshkruar kohë më parë se të vinim ne, Facebook e Tik Tok. Ata mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që po ndodh. Njëri prej atyre që nuk jetoi në epokën e internetit, na ndihmon ta kuptojmë shumë më shpejtë mekanizmin që ushqen me kaq sukses historinë e algoritmeve. Kur kritika bëhet identitet dhe kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, por që të mos mbarojë kurrë. Sepse kur problemi zgjidhjet, duhet të gjendet një problem tjetër. Natyrisht politika s’është kuzhinë, por mekanizmat njerëzore nuk ndryshojnë aq shumë dhe as ata politikë jo e jo. Objekti ndryshon, mekanizmi mbetet. Sot është një projekt, nesër një ligj, pastaj një aleacë, pastaj një roje apo polic i dehur. Nuk ka rëndësi objekti, rëndësi ka që motori të mos pushojë. Sepse kur pushon, nuk ka më lëndë djegëse”, tha Rama.

Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se, sipas tij, problemi i Nartës nuk u kthye në çështje publike për shkak të mjedisit apo shqetësimeve lokale, por pas përfshirjes së emrave të njohur ndërkombëtarë, duke përmendur Jared Kushner dhe presidentin amerikan Donald Trump.

Ai tha se debati, sipas tij, është shndërruar në një “arenë online dhe offline”, ku përplasen qëndrime politike dhe fushata kundërshtie, duke u larguar nga çështja e vetë zonës së lagunës dhe mjedisit.

“Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë. Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme