Rama prezanton Koçiun si Ministre e Punëve të Brendshme: Jo më ministri vetëm e Policisë. Do bëjmë reformë për Prefekturat

Aktualitet | 1 vit më parë

Qeveria “Rama 4” ka nisur zyrtarisht punën pas betimit para Presidentit të Republikës. Kryeministri Edi Rama prezantoi Ministren e re të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e para grua në krye të kësaj ministrie.

Në fjalën e parë si ministre e Brendshme, Koçiu shprehu gatishmërinë për të çuar përpara punët që legjislacioni i ngarkon dikasterit të saj.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të ngrihet në lartësinë e kësaj detyre për ta përfaqësuar më së miri të gjithë figurën e punonjësit publik, me integritetin dhe profesionalizimin që duhet të karakterizojë të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme për të kryer një sërë funksionesh të rëndësishme, që krijojnë vetë themelet e një shteti të fortë demokratik, duke pasur parasysh edhe rëndësinë e jashtëzakonshme dhe momentin historik ku vendi ynë është. Tashmë Europa nuk është më një vizion. Është një realitet i prekshëm”, u shpreh ajo.

Në fjalën e tij, Rama nënvizoi nevojën për një transformim të thellë të rolit të Ministrisë së Brendshme, duke e distancuar nga perceptimi tradicional si “ministri e Policisë së Shtetit”.

“Ta kthejmë këtë ministri nga një Ministri e Policisë, sipas standardit shqiptar, në një Ministri të Punëve të Brendshme sipas standardit europian. Punët e brendshme nuk janë thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit, pavarësisht se Policia zë pjesën më të madhe të sferës së punëve të brendshme. Ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër, që ligji ynë dhe praktika e kudondodhur e vendeve demokratike e thonë, që Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit”, tha Rama.

Në fokus të mandatit të katërt do të jetë edhe një reformë për Prefekturat, e cila do të bashkëdrejtohet nga ministrja Koçiu dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo. Rama tha se reforma do të përcaktojë nëse janë të nevojshme prefekturat dhe çfarë forme duhet të marrin për të kontribuar realisht në administrimin lokal.

“Na duhet një reformë për prefekturat që do ta bashkudhëheqin Ministrja e Brendshme me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe duhet të nxjerrim konkluzionin: a na duhen prefekturat apo nuk na duhen fare, dhe nëse na duhen, çfarë forme duhet të kenë prefekturat, si të bëhen një vlerë e shtuar në të gjithë rrjetin e drejtimit dhe administrimit të punëve të brendshme dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros”, theksoi Rama.

Kryeministri kritikoi mungesën e një sistemi funksional adresash, pavarësisht transformimeve demografike dhe urbanistike të dekadave të fundit. Ai vuri në dukje se shërbimi zjarrfikës mbetet i prapambetur dhe se zjarret, të shfaqura me intensitet gjatë verës së kaluar, do të jenë një sfidë qendrore në vitet që vijnë.

“Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie për dekada ekskluzivisht te Policia, 35 vjet transformime demografike dhe transformim fizik i Shqipërisë, qyteteve tona, që nga Tirana që është sot shumë më e madhe se ç’ishte 35 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional adresash. Sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësish, me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur, por në këtë mandat të katërt duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhin. Zjarrfikësit janë lënë gjithmonë në planin e dytë, ndërkohë që problemi më i madh sot, i shfaqur qartësisht në verën që kaloi dhe që mesa duket do të jetë një problem qendror në vitet në vijim, janë zjarret,” u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke kërkuar që kjo strukturë të udhëhiqet me integritet dhe profesionalizëm.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është një strukturë e re e ngritur për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, me një sërë atributesh të reja e shërbimit të çështjeve të brendshme deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet që të adresojë si duhet objektin e punës së vet, sepse nuk mund të kemi drejtues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që janë njëkohësisht ndërtues pa leje dhe që mbrohen nën hijen e babait. ‘E ka bërë ndërtimin babai’, a thua se meqë është babai i drejtorit është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje. Drejtues falsifikator,” tha Rama.

Rama: Sistem videoregjistrimi në shkolla, i aksesueshëm nga Policia e Shtetit

Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të ministres Koçiu në krye të Punëve të Brendshme, prezantoi një pjesë të programit qeverisës “Shqipëria 2030” mbi futjen e teknologjisë në shumë institucione, me qëllim garantimin e sigurisë në qytetarëve, mallrave dhe territorit.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu

Rama bëri me dije se do u vihet në dispozicion drejtorive dhe këshillave të prindërve sisteme videoregjistrimi për veprimtarinë brenda shkollës. Ky sistem do të jetë i aksesueshëm nga Policia e Shtetit për identifikimin dhe parandalimin e problematikave që mund të lindin brenda ambienteve të shkollave.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se do të përmirësohet survejimi ajror me dronë inteligjentë dhe satelitor për garantimin e sigurisë së mbrojtjes së territorit, plazheve, lumenjve, e pyjeve.

Në lidhje me sigurinë e mallrave të importit, kryeministri garantoi ngritjen e nivelit të gjurmimit në standartin më të lartë bashkëkohor.

“Transformimi teknologjik në polici përmes inovacionit, problem i madh. Muaj të tërë u deshën për të konkluduar në këtë sistem marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë  me Emiratet e Bashkuara që më në fund u konkludua dhe do na japë mundësinë të kemi qytetet inteligjente. Mbulim me kamera inteligjente tërësor nga rrugët te shkollat, brenda shkollës, brenda klasës për të na dhënë një nivel sigurie të standardit më të lartë europian. Se kanë as vende të më mëdha europiane. Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit të plazheve, lumenjve, pyjeve përmes survejimit ajror me drone inteligjente dhe satelitor që tanimë e kemi në fazë të avancuar por na mungon dhe një komponent i fundit për ta bërë në kohë reale të dallueshëm çdo cenim të territorit. Jo siç e kemi sot në mënyrë periodike, por në kohë reale.

Siguria në qarkullimin e mallrave, që s’lidhet drejtpërdrejtë me këtë ministri- që nga barnat mjekësore, te ushqimet e importit, nafta, niveli i gjurmimit të të cilave përmes teknologjisë do ngjitet në standardin më të lartë bashkohor, falë dhe kompanisë së re shtetërore ALBTREIS, kompani ekslence e lindur nga marrëveshje me Emiratet e Bashkuara (1 nga 5 kompanitë më të zhvilluara në botë për gjurmueshmërinë e çdo malli)”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme