Rama reagon për pagat e gjyqtarëve: Marrin më shumë se kolegu në Greqi, por duan ta rrisin ende me vendimin “vetë Zot vetë Shkop”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke publikuar një krahasim me vendet e rajonit. Sipas tij, nga një renditje ku Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë, pas rritjes së miratuar dhe kërkuara nga gjyqtarët, ato do të kenë pagat më të larta në rajon me 2000 mijë euro më shumë.
“Sot, një gjykatës fillestar në Shqipëri merr 500 euro pagë më të lartë se kolegu në Greqi dhe, me vendimin e marrë, vetë Zot, vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan Rama.
Sipas të dhënave të publikuara në grafik nga kryeministri Rama, paga mujore bruto e një gjyqtari fillestar në Shqipëri është aktualisht 3,241 euro, duke e renditur vendin të dytin në listën e 10 vendeve të krahasuara. Në vendin e parë është Rumania me 3,665 euro, ndërsa Greqia renditet e katërta me 2,702 euro. Mali i Zi është në vendin e tetë me 1,998 euro.
Pas rritjes së propozuar, paga mujore bruto e gjyqtarëve fillestarë në Shqipëri do të arrinte në 4,886 euro, duke e ngjitur vendin në krye të renditjes rajonale.
Grafiku tregon se Shqipëria do të kalonte Rumaninë me më shumë se 1,200 euro në muaj, ndërsa diferenca me Greqinë do të shkonte në rreth 2,184 euro dhe me Malin e Zi në rreth 2,888 euro.
Rama e shoqëron reagimin me mesazhin: “Nga vendi i 2-të në vendin e parë”.
Ky reagimin vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila zhbllokoi pagat për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatën e Durrësit.
Më herët Rama kritikoi vendimin e gjykatës, duke thënë se dyert e Thesarit të Shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




