Rama: Shqipëria rast unikal, zero taksë për biznesin e vogël. Ndihmojmë ekonominë familjare

Aktualitet | 12 muaj më parë


Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri Edi Rama në një dëgjesë me banorët e njësisë numër 3 në kryeqytet ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë të jetë vendi i vetëm në rajon dhe Europë ku nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël.

Sipas Ramës, kjo bëhet për të ndihmuar ekonominë familjare. Duke folur për buxhetin e vitit 2026, kryeministri vuri në dukje se biznesi i vogël do të vijojë ta ketë taksën e tatim-fitimit zero, ndërsa shpjegoi se kjo do të vazhdojë deri në përfundim të mandatit, në vitin 2029.

“Është shumë e rëndësishme ta theksoj atë që thuhet por thuhet gabim; jo vetëm që ne kemi vendin me taksa më të ulëta në të gjithë rajonin, se nuk po diskutojmë Europën, por do të vazhdojmë të jemi vendi i vetëm, rast unikal, dhe këtë e kemi bërë me vetëdije të plotë dhe me një qëllim strategjik për të ndihmuar ekonominë familjare, vendi ku nuk ka taskë për biznesin e vogël dhe ku biznesi i vogël nuk paguan tatim-fitim, e ka zero.

Dhe kështu do të vazhojmë ta mbajmë siç jemi zotuar, deri në fund të këtij mandati, në vitin 2029. Kjo do të thotë që biznesi i vogël do të vazhdojë të paguajë vetëm kontributet shëndetësore dhe shoqërore për të punësuar sepse ato nuk janë taksa, ato janë e drejta e gjithsecilit për të pasur pensionet”, u shpreh Edi Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi se si do të funksionojë edhe paqja fiskale mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.
“Nga ana tjetër, ne në këtë plan të ri kemi futur edhe atë që e kemi shpjeguar gjatë fushatësm, paqen fiskale. Paqja fiskale është një marrëveshje me sipërmarrjen në mënyrë që sipërmarrja të bjerë dakord me administratën tatimore për të paguar një shumë të dakordësuar tatimi për të rënë dakord për shifrën e rritjes së parashikuar të ardhurave të kompanisë.

Kjo do të bëjë që kompanitë të paguajnë dhe të mos kenë kontrolle dhe të mos kenë probleme me burokracinë dhe nga ana tjetër që të ardhurat në buxhetin e shtetit të planifikohen dhe të realizohen pa shpenzuar energji që pastaj shkojnë në dëm të kompanive për kontrolle dhe inspektime që të rishikojnë bilancet e tyre dhe të korrigjojë bilancet e viteve të mëparshme. Për çdo bilanc të korrigjuar me rritje, tatimi që ata do të paguajnë 5 për qind“, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme