Rama takim me të rinjtë: Pasaporta e BE-së është një status i ri për shqiptarët, PS do të arrijë fitore spektakolare në Kamzë

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kamza ka qenë stacioni i radhës i kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, ku ka zhvilluar një takim elektoral me të rinjtë.

Integrimi Shqipërisë në BE ka qenë kryefjala e kreut të qeverisë në këtë takim, në të cilin ka nënvizuar se ka shumë përfitime për të gjithë shqiptarët për të gjitha grup-moshat, por sidomos për të rinjtë, marrja e pasaportës së BE-së.

Rama theksoi se marrja e pasaportës së BE-së është edhe një status i ri për shqiptarët.

“Dua t’u them që ajo pasaportë është një dokument, që nuk është një dokument tjetër udhëtimi, nuk është një dokument i ri që zëvendëson të vjetrin ose këtë që kemi sot, por është diçka krejt tjetër. Kjo pasaporta është një status i ri për shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot, ne hyjmë në çdo kufi të BE-së nga një korridor tjetër. Këtë e keni parë. Ne kemi liri lëvizje pa vizë, por nuk kemi liri qëndrimi. Ne duhet të lëvizim, nuk mund të rrimë, nuk mund të ndalojmë se nuk jemi qytetarë të BE-së e të Shqipërisë se për BE-në jemi të huaj”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo pasaportë të bën të identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE-së.

“Me këtë pasaportë hyn në Francë, Itali, Suedi. Ke të njëjtat të drejtat që kanë bashkëmoshatarët e tu italianë, gjermanë, suedezë. Sot, nëse ju do të shkoni të studioni në BE, jeni të huaj dhe duhet të gjeni rrugën, të gjeni një vend përmes kuotave që ka BE-ja për studentët e huaj, pastaj keni detyrimin të paguani tarifa komplet të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE-së, sepse jeni studentë të huaj. Nëse ju duhet një ndihmë mjekësore nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët se jeni të huaj. Nëse doni të kërkoni një punë, nuk keni mundësi fare ta kërkoni se nuk keni leje për punë”, nënvizoi Rama.

Sipas tij, me pasaportën e BE-së të rinjtë mund të kërkojnë punë ku të duan dhe mund të kthehen sërish në vendin e tyre.

“Pa asnjë ekzagjerim, BE-ja bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne”, tha Rama, duke u bërë thirrje të rinjve që të votojnë Partinë Socialiste.

“Sikur të keni mundësinë që të merrnin statusin e qytetarëve të BE-së a mund të diskutohet a ‘duhet me shku me votu pastaj kë me votu’? Patjetër që duhet shkuar me votu dhe patjetër duhet votuar për të bërë një shumicë më të madhe seç e kemi sot, siç jemi sot këtu”, tha Rama.

Rama tha se PS e Kamzës është rritur dhe rinia progresiste e Kamzës është fuqizuar dhe rritur. Kryesocialisti tha se në Kamzë, PS ka të gjitha mundësitë që të marrin një rezultat spektakolar.

“Të gjithë ata shokë dhe shoqe që i keni pranë dhe që kanë ndonjë dyshim, t’u thoni që ky është momenti për të bërë diçka, që është gjëja më e thjeshtë dhe njëkohësisht detyrimi më elementar i dikujt që është një njeri i lirë. Një njeri të lirë e përcakton ndër të tjera edhe fakti se ka lirinë, por edhe pushtetin që me ndihmën e vet përmes votës të kontribuojë në gjykimin e gjithë popullit se kush duhet të rrijë në qeveri e kush në opozitë. Prandaj besoj unë që në Kamzë ne kemi gjithë mundësinë të marrim një rezultat spektakolar”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme