“Qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë”, Rama uron Melonin për rekordin historik: I nxore burrat jashtë luftës për pushtet

Kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një videoje homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë e saj, e cila ka arritur rekordin si ekzekutivi më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Në një video-mesazh në rrjetin social X, Rama vlerëson politikën e Melonit ndaj Evropës, sigurisë dhe emigracionit.
Qeveria e Giorgia Melonit ka shënuar një rekord historik në Itali, duke kaluar 1,413 ditë në detyrë dhe duke u bërë qeveria më jetëgjatë që prej krijimit të Republikës Italiane. Me këtë rast, kryeministri Edi Rama i ka përcjellë një mesazh urimi homologes së tij italiane, përmes një videoje me nota ironike dhe miqësore.
“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit. E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza.
Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht.
Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash. Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë. Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare“, deklaroi Rama.
Me këtë rast, partia e Melonit, ka përgatitur një dokument 28-faqësh me titullin “Më shumë stabilitet për një Itali më të fortë”, i cili do të prezantohet zyrtarisht gjatë një aktiviteti politik në portin e Barit.
Në dokument, një vëmendje e veçantë i kushtohet politikave të emigracionit dhe sigurisë, ku marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë paraqitet si një prej instrumenteve të rëndësishme të strategjisë së qeverisë Meloni për menaxhimin e flukseve migratore.
Sipas raportit, rreth 16 mijë migrantë kanë mbërritur në Itali gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, 55% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Dokumenti thekson gjithashtu se vendet europiane po ndjekin “rrugën e nisur nga Italia me protokollin me Shqipërinë”, në kuadër të politikave për kontrollin e kufijve dhe krijimin e qendrave të riatdhesimit në vende të treta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




