Raporti i INSTAT, sfidat e bujqësisë dhe luhatjet strukturore në blegtori

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar raportin vjetor mbi sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë për vitin 2025. Të dhënat administrative të mbledhura në terren nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dëshmojnë për një rritje të qëndrueshme në disa kultura specifike dhe në prodhimin e mishit e të mjaltit, por nga ana tjetër konfirmojnë rënie të ndjeshme në sektorin e derrave, shpendëve dhe në prodhimin e drithërave bazë si gruri.
Bujqësia, dominon Qarku Fier, bien pemëtoret dhe gruri
Gjatë vitit 2025, prodhimi total bujqësor në vend shënoi vlerën 9.731.031 tonë. Sektori i perimeve shënoi rritje me 1.5%, duke arritur në mbi 1.4 milionë tonë, ku Fieri, Tirana dhe Berati mbajnë peshën kryesore me 62% të prodhimit. Megjithatë, prodhimi i grurit pësoi një goditje duke u zvogëluar me 10.1%, ndryshe nga elbi që u rrit me 13.6%.
Luhatje u vunë re edhe në strukturën e serrave, të cilat përfaqësojnë 22.1% të perimeve gjithsej, por me një rënie vjetore prej 0.9%. Qarku i Fierit mbetet lider absolut i serrave duke kontribuar me gati gjysmën e prodhimit kombëtar.
Rënia më e fortë në sektorin e bimësisë u vu re te pemët frutore, të cilat shënuan një tkurrje prej 12.8%, me Korçën si kontribuesin kryesor në pemët farore (ku molla zë 81.8%). Edhe prodhimi i ullinjve shënoi një rënie të lehtë prej 2.3%, duke zbritur në 143.383 tonë.
“Perimet e njoma përbëjnë 65.8% të prodhimit total, duke shënuar një rritje prej 1.07%, krahasuar me vitin e kaluar. Perimet e thata kanë pësuar rënie, krahasuar me vitin 2024, me 6.7% të prodhimit të kësaj kategorie,” saktëson raporti i INSTAT mbi strukturën e kulturave bujqësore.
Blegtoria, tkurrje te shpendët dhe derrat, shtohen gjedhët dhe bletaria
Sektori blegtoral ka dëshmuar lëvizje të forta strukturore. Numri i gjedhëve u rrit me 1.1%, duke arritur në 275 mijë krerë, ku sërish Fieri (13.9%) dhe Korça (12.6%) udhëheqin mbarështimin. Lajmi pozitiv vjen nga prodhimi i mishit në peshë të gjallë, i cili u rrit me 2.5%, dhe nga bletaria, ku numri i koshereve u zgjerua me 9.8%, duke sjellë 6,299 tonë mjaltë (rritje me 6%).
Në krahun tjetër, të gjitha kategoritë e tjera blegtorale shënuan rënie. Numri i të leshtave ra me 0.9%, i dhive me 7.4%, ndërsa rënia më drastike u regjistrua te derrat me një tkurrje prej 28.2%, duke zbritur nga 104 mijë në vetëm 75 mijë krerë në shkallë vendi. Lezha dhe Shkodra mbeten zonat me përqendrimin më të madh të derrave me mbi 71% të totalit.
Edhe sektori i shpendëve pësoi rënie, ku numri i pulave ra me 8.3%. Kjo solli një rënie të ndjeshme në prodhimin e vezëve:
“Edhe pse në vitin 2024 u prodhuan 888 milionë vezë, në vitin 2025 prodhimi ka rënë në 837 milionë, me një ndryshim prej −5.8%,” konfirmon dokumenti statistikor.
Sa i përket qumështit, prodhimi mbeti thuajse i palëkundur (rënie minimale prej 0.1%), duke shënuar 868.281 tonë, ku qumështi i lopës vijon të jetë burimi kryesor absolut me 85.7% të peshës totale në treg.
Ndryshimet kryesore në Blegtori (2024 vs 2025)
Për të pasur një pasqyrë të qartë të lëvizjeve të krerëve dhe prodhimit blegtoral, tabelat e mëposhtme detajojnë ndryshimet kryesore vjetore:
| Kategoria e Blegtorisë | Viti 2024 (mijë krerë) | Viti 2025 (mijë krerë) | Ndryshimi (%) | Qarqet Kryesore |
| Gjedhët | 272 | 275 | +1.1 % | Fier (13.9%), Korçë (12.6%) |
| Të leshtat (Delet/Dhentë) | 1,177 | 1,166 | -0.9 % | Vlorë (26.5%), Gjirokastër (17.3%) |
| Të dhirtat (Dhitë) | 615 | 570 | -7.4 % | Vlorë (24.0%), Gjirokastër (16.4%) |
| Derrat | 104 | 75 | -28.2 % | Lezhë (38.6%), Shkodër (32.7%) |
| Koshere Bletësh | 587 | 645 | +9.8 % | Databaza INSTAT |
| Prodhimi Blegtoral | Viti 2024 | Viti 2025 | Ndryshimi (%) | Struktura Kryesore |
| Qumësht gjithsej | 876,688 tonë | 868,281 tonë | -0.1 % | Lope (85.7%), Dhie (7.2%), Dele (7.1%) |
| Mish (peshë e gjallë) | 130,334 tonë | 133,604 tonë | +2.5 % | Llogaritur sipas kategorive të therjes |
| Vezë | 888 milionë | 837 milionë | -5.8 % | Tkurrje e numrit të pulave me 8.3% |
| Mjaltë | 5,940 tonë | 6,299 tonë | +6.0 % | Rritje e produktivitetit të koshereve |
Metodologjia e INSTAT saktëson se mbledhja e këtyre të dhënave bëhet në terren nga specialistët e ekstensionit përmes intervistave direkte me fermerët, të cilat më pas kryqëzohen me të dhënat zyrtare të shërbimit veterinar shtetëror dhe veterinerëve privatë për të garantuar saktësinë e inventarit përpara publikimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




