Raporti i PE-së për Shqipërinë, opinionistët: Të zbatohen rekomandimet për shtetin e së drejtës
Raportet e miratuara në institucionet europiane për Shqipërinë nxjerrin në pah jo vetëm progresin e vendit drejt integrimit, por edhe mangësi në disa fusha.
Për analistin Agim Baçi dhe ekspertin e integrimit, Gledis Gjipali, faktorët e brendshëm duhet të mendojnë për zgjidhje urgjente.
“Nga Parlamenti Europian vjen një ultimatum politik. Besoj që politika në Tiranë duhet të ketë veshë ta dëgjojë, sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me një institucion që ka krijuar një shpresë se ligji do të zbatohet në këtë vend,” shprehet z. Baçi.
“Janë përcaktuar elementet ku Shqipëria duhet të punojë më shumë, qoftë në zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, qoftë në aspektin e dialogut politik,” shton z. Gjipali.
Një nga shqetësimet kryesore në raport lidhet me shtetin e së drejtës, në veçanti me punën e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, të njohur si Komisioni Xhafaj, si dhe me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti.
“Duhet të ketë një mekanizëm bashkëpunimi më të ngushtë me Gjykatën Kushtetuese. Duhet të ketë një zbatim të drejtpërdrejtë të vendimeve të saj, për të mos lënë hapësirë për interpretime apo tejzgjatje të zbatimit, siç është vënë re në disa raste,” mendon z. Gjipali.
Ndërsa z. Baçi kritikon qeverinë për aksionin e lirimit të hapësirave publike, duke thënë se nuk është në përputhje me standardet europiane dhe rrezikon besimin te institucionet e vendit.
“Qeveria e zotit Rama është goxha larg lidhur me raportin që ka e drejta për pronën, barazia para ligjit, zbatimi i ligjit, institucionet që kanë në qendër qytetarin,” thekson analisti.
Ndërsa Shqipëria përgatitet për hapjen e kapitujve negociues, sfidë kryesore mbetet zbatimi i rekomandimeve në forcimin e shtetit të së drejtës.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




